Lajmet e fundit

U nënshkrua projekti mbështetjes së Kuvendit të Kosovës nga UNDP-ja

, 06.02.2008




Në prani të zonjës Kori Udovicki, asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe drejtoreshë regjionale e UNDP-së (Evropë dhe vendet e ish-BRSS-së) dhe zonjës Kathleen Cravero, drejtoreshë e Byrosë së UNDP-së për parandalimin e krizave dhe rimëkëmbje, sot në Kuvendin e Kosovës është nënshkruar Projekti për mbështetjen në përmbushjen e objektivave të Deklaratës së OKB-së për mijëvjeçarin dhe agjendën evropiane për përfshirjen sociale.

Projekti i nënshkruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Frode Mauring, koordiantor i agjencive të OKB-së në Kosovë dhe përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, ka për synim mbështetjen e Kuvendit për përmbushjen e objektivave të mijëvjeçarit, si: zhdukja e varfërisë së skajshme dhe urisë, arritja e arsimimit të përgjithshëm fillor, promovimi i barazisë gjinore dhe fuqizimi i femrave, zvogëlimi i vdekshmërisë te fëmijët, përmirësimi i shëndetit të nënave, luftimi i HIV/AIDS-it, tuberkulozit dhe sëmundjeve të tjera ngjitëse, sigurimi i qëndrueshmërisë së ambientit dhe krijimi i një partneriteti global për zhvillim.

Para nënshkrimit të këtij projekti, kryeparlamentari Krasniqi i ka pritur përfaqësuesit e UNDP-së, zonjat Kori Udovicki e Kathleen Cravero, z.Frode Mauring dhe bashkëpunëtorët e tyre, me të cilët ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe për mbështetjen që UNDP-ja do t’i japë Kosovës, në mënyrë dhe vendi t’i arrijë objektivat e mijëvjeçarit (deri më 2015).

“Kuvendi i Kosovës, në afatin më të shkurtër, me një rezolutë, do ta aprovojë Deklaratën së OKB-së të mijëvjeçarit, të cilën në vitin 2000 e kanë nënshkruar 189 vende”, ka premtuar Krasniqi.

Përfaqësuesit e UNDP-së janë zotuar se organizata, të cilën e përfaqësojnë, do të mbetet në Kosovë dhe do ta ndihmojë zhvillimin e vendit, duke e ngritur nivelin e pranisë në Zyrë, sikurse edhe në vendet e tjera të rajonit.
U nënshkrua projekti mbështetjes së Kuvendit të Kosovës nga UNDP-ja