Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi priti shefin e Zyrës së Hungarisë në Prishtinë, z. Zoltan Imecs

, 07.02.2008




Ekziston një gatishmëri e denjë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Parlamentit të Hungarisë dhe Kosovës në të ardhmen , sidomos në dritën e faktit se së shpejti Kuvendi i Kosovës do të krijojë pozicion të ri. Bashkëpunimi i dy vendeve do të zgjerohet edhe në nivele e segmente të tjera. Këto ishin disa nga konstatimet thelbësore të takimit të sotëm të shefit të Zyrës së Hungarisë në Prishtinë, z. Zoltan Imecs dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit.

Në prononcimin për media kryeparlamentari Krasniqi falënderoi shefin e zyrës dhe Qeverinë e Hungarisë për mesazhin që iu dha me këtë rast në emër të ministrit të Punëve të Jashtme të Hungarisë. Kosova gjithnjë ka gëzuar ndihmën e diplomacisë hungareze, theksoi Krasniqi .Hungaria si shtet brenda BE-së ka mbështetur politikën e njohjes së pavarësisë së Kosovës si shtet sovran. Në këtë vështrim edhe shefi i Zyrës tha se Hungaria përkrah politikën e BE-së ndaj zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës. Hungaria mbështetet në pozicionin se zgjidhja më e mirë për statusin e Kosovës është zbatimi i Pakos së Ahtisarit, i cili do të ishte veprimi më i mirë për rajonin , meqë ai sjell stabilitet në Rajon dhe më gjerë. Për shtetin hungarez është me shumë rëndësi stabiliteti në Rajon dhe zhvillimi i Kosovës, tha Imecs.

Kam besim se investitorët nga Hungaria janë të gatshëm të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ndërkaq, përkitazi me çështjen e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërparlamentar , z. Zoltan Imecs tha se jemi të gatshëm të ofrojmë eksperiencat tona për reforma parlamentare, madje e duke sjellë edhe ekspertë në Kosovë për këtë çështje.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi priti shefin e Zyrës së Hungarisë në Prishtinë, z. Zoltan Imecs