Lajmet e fundit

U konstituua Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 08.02.2008




Në mbledhjen e kryesuar nga Bahri Hyseni, kryetar i Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi, u konstituua komisioni dhe u bisedua për shumë punë që e presin atë. Nga kryetari i komisionit, por edhe nga anëtarët e tjerë të tij u theksua se Komisionin për Legjislacion dhe Gjyqësi e presin punë të mëdha për vlerësimin e bazës kushtetuese të projektligjeve që vijnë për procedim në Kuvend, por edhe si komision raportues dhe funksional për një serë projektligjesh. U theksua, madje, se komisioni do të angazhohet edhe për hartimin e ndonjë projektligji, i cili vlerësohet si shumë i rëndësishëm, ndërkaq, nuk parashihet në agjendën legjislative të Qeverisë.

Anëtarët e komisionit janë pajtuar se gjatë kësaj Legjislature duhet përqendruar edhe në monitorimin e zbatimit të ligjeve, kurse me qëllim të efikasitetit më të madh të punës së komisionit, është parë e udhës të hartohet e dhe një rregullore e përkohshme e punës së komisionit, deri sa të miratohet Rregullorja për punën e të gjitha komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni i ka njëmbëdhjetë anëtarë, kurse zëvendëskryetarë të komisionit janë zgjedhur Adem Salihaj nga LDD-ja dhe Branislav Gërbiq, nga SLS-ja.

Pos nga stafi civil i Kuvendit të Kosovës, komisioni do të mbështetet edhe nga OSBE-ja, NDI-ja dhe USAID-i.
U konstituua Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi