Lajmet e fundit

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, ngushëllon kryetaren e Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi, me rastin e vdekjes së kongresistit Tom Lantosh

, 12.02.2008




Nancy Pelosi, kryetare e Kongresit Amerikan Washington DC

E nderuar zonjë Pelosi,

Me hidhërim e morëm lajmin për vdekjen e kongresistit Tom Lantosh, kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, dhe ju bashkohemi në dhimbje për humbjen e tij.

Zoti Tom Lantosh, i mbijetuari i Holokaustit, që u bë një shërbëtor ekselent i kombit amerikan për më shumë se tri decenie, në të njëjtën kohë u bë zë shumë i fuqishëm për mbrojtjen e të pambrojturve dhe për promovimin e lirisë njerëzore kudo në botë.

Tom Lantosh ishte një nga përfaqësuesit më të fuqishëm në Kongresin Amerikan që ngriti zërin kundër shtypjes së shqiptarëve në Kosovë dhe përkrahu poashtu fuqishëm pavarësinë e Kosovës. Kishte një lidhje të fortë njerëzore e politike me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, për të cilën ky i fundit e kishte dekoruar me Medaljen e Lirisë.

E kujtojmë me pietet punën e zotit Tom Lantosh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, veçanërisht tash që jemi në pragun e shpalljes e të njohjes së pavarësisë, dhe na vjen keq që nuk do të jetë bashkë me ne në këtë ditë të shënuar.

E nderuara kryetare Pelosi,

Ju lutem që ngushëllimet tona më të thella për vdekjen e z. Lantosh t’ia përcillni familjes së gjerë Lantosh.

Sabri Hamiti, Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 12 shkurt 2008