Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 13.02.2008




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në pjesën më të madhe të së cilës merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të premten, më 15 shkurt të këtij viti, si dhe ka përcaktuar rendin e punës për këtë seancë.

Megjithëse ishte paraparë një tjetër rend dite për mbledhjen e Kryesisë, kryeparlamentari Krasniqi i ka njoftuar anëtarët e Kryesisë se në ndërkohë kanë arritur disa mocione përmbajtjesore, të cilat duhet radhitur në seancën e së premtes. Duke pasur parasysh momentin të cilin po e kalon Kosova dhe nevojën për një sërë vendimesh të rëndësishme dhe të ngutshme, Kryesia sot ka vendosur që në seancën e së premtes të shtrojë në rend dite mocionin e pesë grupeve parlamentare për shmangie nga Rregullorja e Punës së Kuvendit për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve të identifikuara në Propozimin Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës pritet të shqyrtojë edhe propozimin për shmangien e afateve nga Rregullorja e Punës së Kuvendit për shqyrtimin dhe miratimin e Projektligjit për Buxhetin e viti 2008, si dhe procedimin e tij të mëtejmë.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu propozimin e Grupit Parlamentar të AAK-së për zgjedhjen e Naim Maloku, anëtar të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kurse do të votojnë edhe për katër zëvendësministra të Qeverisë së Kosovës.

Do të shqyrtohet, ndërkaq, edhe propozimi i Grupit Parlamentar të SLS-së për zgjedhjen e dy anëtarëve në komisionet parlamentare.

Në funksion të transparencës në rritje të Kuvendit të Kosovës, deputetët do të njoftohen lidhur me publikimin në ueb-faqen e Kuvendit dhe në media të rezultatit të votimit të deputetëve nëpërmjet sistemit elektronik.

Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe çështje të tjera të mirëfunksionimit të Kuvendit të Kosovës.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit