Lajmet e fundit

U konstituua Komisioni për Integrime Evropiane

, 13.02.2008




Në mbledhjen e kryesuar nga deputetja, Zylfie Hundozi, Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane mbajti mbledhjen e tij konstitutive, shqyrtoi fushëveprimin e Komisionit, si dhe bashkëpunimin me shoqata dhe asociacione, të cilat kanë shfaqur vullnet për ta mbështetur punën e Komisionit.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Zylfie Hundozi, ka spikatur se pas pavarësisë së Kosovës, njëra ndër prioritetet e institucioneve të Kosovës do të jetë integrimi evropian i vendit, kurse komisioni, të cilin e udhëheq ajo, do të ketë punë të mëdha për monitorimin e procesit të harmonizimit të sistemit juridik të Kosovës me sistemin juridik të Unionit Evropian, kooperimi dhe koordinimi me institucionet e Unionit Evropian në drejtim të integrimit dhe anëtarësimit të Kosovës në UE, si dhe kooperimi dhe koordinimi me institucionet evropiane në Kosovë.

Komisioni do të mbikëqyrë edhe punën e Qeverisë së Kosovës në përmbushjen e obligimeve të marra nga institucionet e Kosovës dhe sidomos të Kuvendit ndaj institucioneve të Unionit Evropian, si dhe implementimin e Planit të Veprimit për Partneritet Evropian (EPAP), e të tjera.

Anëtarët e komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane janë njoftuar edhe me ofertat e disa OJQ-ve për të mbështetur punën e Komisionit, si: KIPRED-i, NDI-a dhe GAP-i.

Pritet që në mbledhjen e ardhshme të tij, Komisioni do ta miratojë përfundimisht fushëveprimin e tij.
U konstituua Komisioni për Integrime Evropiane