Lajmet e fundit

U konstituua Komisioni për Punë të Jashtme

, 14.02.2008




Në mbledhjen e kryesuar nga deputeti Sabri Hamiti është konstituuar sot Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, si dhe është miratuar fushëveprimi i këtij komisioni.

Kryetari Komisionit, Hamiti, ka theksuar se zhvillimet e pritshme në Kosovë kanë diktuar që të krijohet një Komision i Punëve të Jashtme, edhe për faktin se duke qenë kjo sferë e rezervuar, aktualisht mungon edhe Ministria e Jashtme në Qeverinë e Kosovës. Duke shkoqitur elemente nga fushëveprimi i Komisionit, ai ka vënë në pah se në koordinim me Kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit, Komisioni për Punë të Jashtme ndërton bashkëpunimin me parlamentet e shteteve dhe promovon anëtarësimin e Kuvendit të Kosovës në organizatat parlamentare regjionale e ndërkombëtare.

Sipas fushëveprimit të Komisionit, i cili u miratua në këtë mbledhje, Komisioni shoqëron Kryetarin e Kuvendit në takimet parlamentare ndërkombëtare; ratifikon në bllok ose ndaras traktatet ekzistuese, të cilat Kosova dëshiron t’i nënshkruajë; përcjell negociatat e udhëhequra nga Qeveria lidhur me bashkëpjesëmarrjen e saj në traktatet e reja dhe nis debatin për ratifikimin e tyre; mbikëqyr nxjerrjen e ligjeve për punë të jashtme dhe për imunitetet diplomatike; përcjell themelimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të rrjetit diplomatik të Kosovës; mbikëqyr veprimet e Qeverisë në planin e politikës së jashtme; shoqëron Ministrin e Jashtëm në takime të caktuara, të rëndësishme; bashkëpunon me komisionet homologe të parlamenteve të vendeve të tjera dhe promovon diplomacinë parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Duke pasur parasysh personat e fuqishëm që grupet parlamentare kanë deleguar në këtë komision (nga njëmbëdhjetë anëtarë të komisionit pesë janë anëtarë të Kryesisë së kuvendit, kurse dy janë shefa të grupeve parlamentare), del qartas rëndësia e madhe e këtij komisioni dhe qëllimi për ta fuqizuar atë, në kohën kur Kosovën e pret vendosja dhe ngritja e marrëdhënieve ndërshtetërore me një numër të madh të vendeve të ndryshme.

Pas diskutimesh për punën e madhe qe e pret Komisionin, është krijuar një grup punues për të përgatitur planin e punës dhe të aktiviteteve të Komisionit për një periudhë më të gjatë kohore.
U konstituua Komisioni për Punë të Jashtme