Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 15.02.2008




Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, deputetët, pasi e kanë shqyrtuar Mocionin e gjashtë grupeve parlamentare për shmangie nga Rregullorja e Punës së Kuvendit për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve të identifikuara në Propozimin Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e Statusit të Kosovës, edhe e kanë miratuar atë, me shumicë votash. Në të njëjtën seancë, ndërkaq, është krijuar Komisioni ad–hoc (prej nëntë anëtarësh) për shqyrtimin e këtyre projektligjeve.

Deputetët, nëpërmjet një votimi formal, i kanë dhënë besimin deputetit Naim Maloku, për të qenë anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, (nga grupi Parlamentar i AAK-së), si dhe kanë tumirë propozimin e kryeministrit Kosovës për zgjedhjen e tre zëvendësministrave: Sasha Rrashiq (SLS), zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Raif Elezi (Vakat), zëvendësministër në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe Usmen Balldozhi (Vakat), zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në orët e pasdites, deputetët kanë shqyrtuar Propozimin për shmangien e afateve nga Rregullorja e Punës së Kuvendit për shqyrtimin dhe miratimin e Projektligjit për Buxhetin e viti 2008, si dhe e kanë miratuar këtë propozim.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në vazhdim, ka prezantuar elementet kryesore të Projektbuxhetit të Konsoliduar të Kosovës, për vitin 2008, si dhe prioritet kryesore të Qeverisë së Kosovës që nëpërmjet këtij buxheti të arrihet shkalla e pritshme e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës gjatë vitit të ardhshëm.

Në kuadër të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës prej një miliardë e njëzet e shtatë milionë euro, për investime kapitale janë paraparë 370 milion euro, si dhe 79 milionë të tjerë kredi investuese. Nga kjo vlerë, për meremetimin dhe ndërtimin e rrugëve të Kosovës janë parapare 90 milionë euro, 30 milionë për ndërtimin e objekteve shkollore, kurse tetë milionë për ndërtesën qeveritare.

Në fjalën e tij para deputetëve kryeministri Thaçi ka spikatur se për përmirësimin e gjendjes ekonomike të pensionistëve janë paraparë gjashtëmbëdhjetë milionë euro, gjashtë të tjerë për arsimin shkollor, si dhe miliona të tjerë për kompjuterizimin e sistemit mësimor nëpër shkolla etj.

Ndër synimet kryesore të Qeverisë për fuqizimin e Buxhetit (i cili do të rishikohet edhe në qershor të këtij viti) Thaçi ka përmendur mostolerimin e ekonomisë informate në Kosovë, luftimin e krimit të organizuar ekonomik, zvogëlimin e deficitit tregtar dhe shtimin e sigurisë për investitorët e huaj.

Në vazhdim Ministri i Financave, Ahmet Shala, ka prezantuar para deputetëve Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2008, pas të cilit ka vazhduar debati i gjatë i deputetëve për këtë projektligj.

Në orët e mbrëmjes është mbajtur një tjetër seancë plenare për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës, i cili është amendamentuar (me nëntë amendamente të Komisionit për Buxhet dhe Financa) dhe është miratuar.

Seanca ka miratuar edhe dy rekomandime të të njëjtit Komision për Rregullatorin e Energjisë Elektrike dhe ART-në.

“Seanca përfundoi. Mirupafshim në Seancën Solemne të Kuvendit të Kosovës”, u është drejtuar deputetëve në fund të seancës kryeparlamerntari Krasniqi.
Nga punimet e seancës plenare