Lajmet e fundit
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit mbahet sot në orën 15:00
, 17.02.2008
Me kërkesën e përbashkët të presidentit të Kosovës, Fatmis Sejdiu dhe kryeministrit, Hasshim Thaçi, drejtuar kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, për mbajtjen sot të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, me rend dite: Miratimi i Deklaratës së Pavarësisë dhe i simboleve shtetërore të Kosovës, është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës bashkë me shefat e grupeve parlamentare, në të cilën njëzëri është miratuar mocioni dhe është vendosur që seanca të mbahet sot, duke filluar në orën 15:00.
Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, të cilët merrnin pjesë në këtë takim të Kryesisë së Kuvendit dhe të shefave të grupeve parlamentare, kanë folur për momentin e rëndësishëm, nëpër të cilin po e kalon Kosova, si dhe kanë theksuar domosdoshmërinë e shpalljes së pavarësisë, në këtë moment, dhe të simboleve shtetërore të Kosovës, flamurit dhe stemës, që e shoqërojnë shtetësinë e vendit.
Në këtë takim kryeparlamentari Krasniqi e ka paraqitur edhe skenarin për rrjedhën e seancës së sotme, si më poshtë:
1. Kryetari i Kuvendit e hapë mbledhjen dhe kërkon votimin e rendit të ditës.
2. Kryetari i Kuvendit e fton kryeministrin Thaçi që ta arsyetojë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme.
3. Kryetari i Kuvendit fton presidentin Sejdiu që ta marrë fjalën.
4. Kryetari i Kuvendit e fton kryeministrin Thaçi që ta marrë fjalën dhe ta lexojë Deklaratën e Pavarësisë.
5. Kryetari i Kuvendit e vë në votim deklaratën e lexuar nga kryeministri.
6. Kryetari i Kuvendit lexon rezultatin e votimit dhe e shpall Kosovën shtet të pavarur.
7. Organizohet nënshkrimi solemn i Deklaratës: presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe pastaj ftohen deputetët, me radhë, që ta nënshkruajnë atë.
8. Kryetari i Kuvendit e fton presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili pastaj e autorizon zv.kryeminstrin, dhe kryetarin e Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuqi, që ta arsyetojë nevojën për simbolet.
9. Zv.kryeminstri dhe kryetari i Komisionit Kushtetues e merr fjalën.
10. Kryetari i Kuvendit i vë për votim simbolet (flamuri dhe stema) e përzgjedhura.
11. Në momentin e miratimit flamuri sillet në sallën e Kuvendit.
12. Kryetari i Kuvendit e përmbyll seancën.