Lajmet e fundit

Fjale e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi në seancën e 19 shkurtit

, 19.02.2008




Te nderuar deputetë

Sot, më 19 shkurt 2008, po e mbajmë seancën e parë plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kuvendit i dëshiroj punë të mbarë në bërjen e ligjeve të Republikës së Kosovës, deputeteve dhe deputetëve shëndet të mirë e suksese në punë e jetë. Suksese, shëndet, begati e mbarësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.

Shfrytëzoj rastin që në emrin tuaj dhe timin, t’ i falënderoj gjithë shqiptaret, të gjitha minoritetet, gjithë qytetarët tanë brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës për manifestimet dinjitoze që organizuan për Ditën e Pavarësisë e të Sovranitetit të Shtetit tonë. Një falënderim të veçantë të gjitha medieve vendore e ndërkombëtare për informimin korrekt që i bënë opinionit vendor e ndërkombëtar.

Gjithashtu, shfrytëzoj rastin për t’ i përshëndetur edhe qytetarët serbë të Republikës së Kosovës, që nuk u ndien mirë me rastin e pavarësisë e të sovranitetit të Republikës së Kosovës, ndonëse ky akt sublim nuk është i drejtuar e as i dëmton interesat e akëcilit komunitet në Republikën e Kosovës. Është e drejtë kushtetuese e qytetarëve për të protestuar, ndonëse nuk kanë arsye, pasi me Kushtetutë e ligje do të mbrohen: liria individuale e kombëtare, të drejtat e njeriut dhe e drejta e pronës, të lëvizjes së lirë të çdo qytetari të Kosovës, në çdo cep të saj. Këto e shumë çka tjetër është thënë dhe garantohet në mënyrë të qartë në Deklaratën e Pavarësisë, është thënë qartë në Dokumentin gjithëpërfshirës të president Ahtisarit, thuhet qartë dhe është sanksionuar edhe në Projektkushtetutën e Republikës së Kosovës që është përgatitur e pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Një mirënjohje të veçantë për SHBA-të dhe Presidentin Bush, për BE-në , për Francën dhe presidentin Sarkozi, për Mbretërinë e Bashkuar dhe Kryeministrin Braun, për Belgjikën, Izraelin, Turqinë, Shqipërinë e Avganistanin, që e njohën Pavarësinë dhe Sovranitetin e Republikës së Kosovës, si dhe Gjermaninë, Italinë dhe të gjitha vendet tjera që e mirëkuptuan dhe po përgatiten ta njohin shtetin tonë të ri. Ne, jemi të bindur se përshpejtimi për njohjen , Shtetit të Pavarur dhe Sovran të Kosovës, nga gjithë vendet e BE dhe nga gjithë anëtarët e OKB-së, i ka dy anët pozitive, prandaj nuk duhet hezituar. Nuk duhet hezituar për dy arsye:

1. Njohja e përmbyll një proces te natyrshëm, e korrigjon një padrejtësi historike, perspektivës ia hap të gjitha rrugët e zhvillimit demokratik dhe ekonomik. Njohja e Republikës së Kosovës nuk krijon rast precedent, është rast i veçantë, pasi Kosova në Evropë ishte rast i veçantë që nga vitet 1912 e 1913, ishte rast i veçantë gjatë gjithë dekadave të pas LDB si edhe gjatë këtyre dhjetë viteve të Administrimit Ndërkombëtar në Kosovë dhe

2. E ndihmon politikën serbe që të shkëputët nga e kaluara jo demokratike dhe do të përshpejtojë në Serbi sundimin e demokracisë e të partneritetit reciprok, përshpejton procesin e integrimeve demokratike në harmoni me gjithë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në BE. Serbia nuk ndihmohet duke e lënë në shtratin e dhunës e të krimit.

Apelojmë të të gjitha vendet e OKB-së që ta përshpejtojnë procesin e njohjes së shtetit të 193-të, shtetit të Kosovës në Asamblenë e Kombeve e shteteve të pavarura.