Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 21.02.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Kosovës për vitin 2008, si dhe ka vendosur që seanca e radhës të fillojë më 26 shkurt. Nga e marta e ardhshme, Kuvendi do të shqyrtojë të 29 projektligjet e ardhura nga Qeveria e Kosovës, në një seancë prej së pakut katër ditë pune.

Në të mirë të efikasitetit të punës Kryesia ka autorizuar Sekretarinë e Kuvendit që të rendisë projektligjet për miratim për secilën ditë të seancës plenare. Kryesia ka marrë vendim që nga ora 10:00, kur fillon seanca, deri në orën 14:00, deputetët vetëm t’i shqyrtojnë projektligjet, kurse pas pauzës së drekës, në orën 16:00 të procedohet vetëm me votimin e projektligjeve të shqyrtuara para dreke.

Në këtë seancë do të shqyrtohen për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të përkohshëm penal të Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të përkohshëm të procedurës penale të Kosovës, Projektligji për përfitimin e ish zyrtareve të lartë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kooperativat bujqësore Nr. 2003/9, Projektligji për përdorimin civil të ksplozivëve, Projektligji për procedurën kontestimore, Projektligj për procedurën përmbarimore, Projektligji për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligji për procedurën jokontestimore, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, Projektligji mbi Noterinë, Projektligji për vlerësimin strategjik mjedisor, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për skemën sociale, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Inspektoratin e Punës, Projektligji për përkrahjen materiale familjeve dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme, Projektligji për shitjen e banesave, Projektligji për ndihmë shtetërore, Projektligji për ushqimin, Projektligji për provimin përfundimtar dhe të maturës, Projektligji për rehabilitimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, Projektligji për efiçiencën e energjisë, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, Projektligji për tatimin në vlerën e shtuar, Projektligji për modifikimin gjenetik, Projektligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis, Projektligji për taksën e vendosjes, Projektligji për tokën ndërtimore, privatizimin dhe dhënien me qira dhe Projektligji për Inspektoratin e Bujqësisë.

Kryesia ka vendosur të shpallë konkurs të ri për Avokatin e Popullit.

Duke e shqyrtuar kërkesën e KRPP-së për themelimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe kërkesën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për emërimin e dy anëtarëve të Bordit të saj, Kryesia ka kërkuar nga Qeveria që t’i caktojë anëtarët e kërkuar, të cilët Kuvendi do t’i miratojë në njërën nga seancat e radhës.

Ka mbetur, ndërkaq, që në një mbledhje të ardhshme Kryesia të merret me shqyrtimin e Projekt-Rregullores për organizimin dhe funksionimin e Kryesisë së Kuvendit.

Kryesia është njoftuar me kërkesën e banorëve të fshatit Lajthishtë dhe ia ka deleguar atë Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Personat e Pagjetur dhe Petecione, kurse kërkesën e Nexhmedin Spahiut lidhur me ndërprerjen e transmetimit të TV Mitrovica, ia ka deleguar për trajtim të mëtutjeshëm Komisionit Parlamentar për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit