Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor

, 22.02.2008




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, të cilin e kryesoi kryetari Lulzim Zeneli, sot e mbajti mbledhjen e punës në të cilën u prezantua raporti i OSBE-së për përkrahje këtij komisioni. Krahas anëtarëve të këtij komisioni prezantuan edhe përfaqësuesit e OSBE-së, të Misionit në Kosovë dhe drejtori i Qendrës Rajonale për Mjedis – zyra në Kosovë dr. Zeqir Veselaj.

Me këtë rast, duke folur për mbrojtjen e mjedisit, në emër të OSBE-së në Kosovë z. Lodewijk Vanoost theksoi se vjen nga Belgjika dhe tha se edhe ata sikurse edhe vendet e tjera të zhvilluara industrialisht kanë probleme në lëmin e zhvillimit gjithëpërfshirës të vendit dhe se krahas kësaj, në anën tjetër, kanë probleme edhe në lëmin e ruajtjes së mjedisit. Në Belgjikë për lëmin e mbrojtjes së mjedisit janë nxjerrë shumë ligje, por megjithatë nuk është ndërprerë ndotja e tij.

Në vazhdim të mbledhjes drejtori i Qendrës rajonale për mjedis – zyra në Kosovë, z. Zeqir Veselaj, tha se 29 vende të rajonit janë nënshkruese të Qendrës rajonale për mjedisin dhe se të gjithë ata angazhohen për ruajtjen e mjedisit në vendet e veta. Duke folur për aktivitetet e Qendrës Rajonale – zyra në Kosovë, z. Veselaj tha se qëllim kryesor janë strategjia dhe plani për ruajtjen e mjedisit në Kosovë, implementimi i projekteve rajonale në lëmin e ruajtjes së mjedisit, si dhe plan-programi strategjik i punës për ruajtjen e mjedisit në Kosovë në periudhën 2005-2015 në Kosovë.
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor