Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi u nis në një vizitë në Shqipëri

, 24.02.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtarët e Kryesisë, Xhavit Haliti dhe Sabri Hamiti, u nis sot në një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonjës Jozefina Topalli.

Gjatë kësaj vizite të parë jashtë vendit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi do të ketë takime me homologen shqiptare, zonjën Jozefina Topalli, me kryeministrin Sali Berisha, me presidentin e Republikës, Bamir Topi, me ministrin e Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në qendër të vëmendjes së kësaj vizite do të jetë bashkëpunimi ndërparlamentar.

Në prononcimin para medieve, para se të nisej nga Aeroporti i Prishtinës , kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se menjëherë pas krijimit të institucioneve te reja të Kosovës kemi marrë ftesën zyrtare nga kryeparlamentarja e Shqipërisë, z. Jozefina Topalli për të vizituar Shqipërinë. Arsyeja e dytë për të bërë këtë vizitë është edhe fakti që në Tiranë do të organizohet edhe konferenca “ Kosova dhe sfidat e saj pas pavarësisë”. Është kjo vizita të parë në Shqipëri pas krijimit të institucioneve të reja dhe pavarësisë së Kosovës, tha Jakup Krasniqi.

Të theksojmë se konferenca “ Kosova dhe sfidat e saj pas pavarësisë”, e cila mbahet të hënën në Tiranë, zhvillohet nën patronatin e presidentit Topi.
Kryeparlamentari Krasniqi u nis në një vizitë në Shqipëri