Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit

, 27.02.2008




Në ditën e dytë të seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit ( një pjesë të saj e ka drejtuar anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti), janë shqyrtuar për herë të parë tetë projektligje, të cilat edhe janë miratuar në parim.

Projektligjet, të cilat e rregullojnë sferën gjyqësisë së Kosovës si: Projektligjin, për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të përkohshëm penal të Kosovës, atë për Ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të përkohshëm të procedurës penale të Kosovës, Projektligjn për procedurën kontestimore, atë për Procedurën përmbarimore, atë për Deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, si dhe atë për Procedurën jokontestimore, i ka prezantuar ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi. Projektligjin për vlerësimin strategjik mjedisor, e ka prezantuar, ndërkaq, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar.

Të tetë projektligjet janë miratuar në parim në pjesën e seancës pas dite, me ç’rast janë autorizuar komisionet kryesore dhe ato funksionale për shqyrtimin edhe amendamentimin e tyre para shqyrtimit të dytë.

Seanca vazhdon punimet ditën e enjte, në orën 10:00.
Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit