Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit
, 28.02.2008
Në ditën e tretë të seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë të saj e ka drejtuar anëtari i Kryesisë, Eqrem Kryeziu), janë shqyrtuar për herë të parë pesë projektligje.
Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për skemën sociale e ka prezantuar zëvendëskryeministri, Ramë Manaj, Projektligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe atë për Shitjen e banesave, në të cilat ekziston e drejta banesore, i ka prezantuar ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, kurse Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Inspektoratin e Punës dhe atë për Përkrahjen materiale të familjeve dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme, i ka prezantuar ministri i Bujqësisë, Idriz Vehapi.
Të gjitha këto projektligje janë miratuar në parim në pjesën e seancës pas dite, me ç’rast janë autorizuar komisionet kryesore dhe ato funksionale për shqyrtimin dhe amendamentimin e tyre para shqyrtimit të dytë.
Seanca vazhdon punimet ditën e premte, në orën 10:00.