Lajmet e fundit

Telegram falënderimi i Kryeparlamentari Krasniqi KFM-në e Zvicrës

, 03.03.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka dërguar një telegram falënderimi takimit të përbashkët të anëtarëve të Këshillit Federal të Ministrave, të deputetë të Parlamentit Federal, miqve të Kosovës dhe bashkatdhetarëve tanë me qëndrim në Zvicër, në të cilin thuhet:

Prishtinë,
01.03.2008

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj, anëtarë të Këshillit Federal të Ministrave,
Të nderuar Kolegë Deputetë të Parlamentit Federal,
Të nderuar miq të Kosovës,
Të dashur Bashkatdhetarë,

Përfitoj nga rasti të vlerësoj lartë faktin se Zvicra si një vend me një ekonomi dhe demokraci të zhvilluar, ka qenë dhe vazhdon të jetë shembull i frymëzimit të shumë gjeneratave të mërgimtarëve. Arritjet dhe përvoja e Zvicrës në të gjitha fushat do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyes për shtetin e ri - Republikën e Kosovës.

Shpresojmë se në një të ardhme shumë të afërt, Republika e Kosovës, pas njohjes së pavarësisë nga ana e qeverisë së Zvicrës, do të ketë mundësi edhe më të mëdha që të përfitojë nga arritjet dhe përvoja e saj. Republika e Kosovës, institucionet e saja shtetërore dhe qytetarët e saj u janë jashtëzakonisht mirënjohës shtetit Zviceran për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e dhënë.

Të nderuar miq të Kosovës dhe të dashur bashkatdhetarë, ne si institucione të Republikës së Kosovës, vlerësojmë lart ndihmën tuaj të çmuar për Kosovën. Ne shpresojmë se ju, ashtu si edhe deri më tani, do të vazhdoni të mbeteni ambasadorët më të denjë të Kosovës dhe urat e natyrshme te miqësisë së madhe mes Zvicrës dhe Kosovës.

Në pamundësi të jem në mesin tuaj, për të ngritur gotën e Urimit, ju lutem që t’i pranoni dhe t'ua përcillni të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, përshëndetjet e mia personale, ato të institucioneve, si dhe të të gjithë popullit të Republikës së Kosovës.

Sinqerisht i Juaji
Jakup Krasniqi.
Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës