Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi falënderon kryeparlamentaren e Shqipërisë, Topalli

, 04.03.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka dërguar një telegram falënderimi kryeparlamentares së Republikës së Shqipërisë, zonjës Jozefina Topalli, për pritjen tepër të ngrohtë që i ka organizuar delegacionit parlamentar nga Kosova.

Në telegram thuhet:

Prishtinë, më 03.03 2008

E nderuar Zonja Kryetare,

Kam kënaqësinë t’i shprehë urimet e mia më të përzemërta e më të sinqerta për Shkëlqesinë Tuaj dhe t’Ju falënderoj për takimin e ngrohtë dhe shumë vëllazëror që më rezervuat mua dhe delegacionit që më shoqëroi gjatë vizitës sime në Tiranë nga dt. 24-26 shkurt. Ne patëm rastin të shkëmbejmë mendime për ecurinë e proceseve që po zhvillohen në Kosovë, në fazën më të rëndësishme, në fazën e njohjes se pavarësisë së Kosovës nga shumë shtete demokratike , në fazën e sfidave të reja që e presin Kosovën drejt integrimeve euroatlantike.

Do të mbetet i paharruar takimi i ngrohtë e miqësor që pata me Ju, në të cilin rrahëm mendime të vlefshme për zhvillimet më të fundit në Kosovë, në Shqipëri dhe në rajon.

Përfitoj nga ky rast, Znj. Topalli, të shpreh vlerësimin tim të lartë për kontributin Tuaj dhe të Parlamentit, që ju drejtoni, në këtë periudhë fort të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Jam shumë i lumtur t’Ju them se u largova nga Tirana me bindje të përforcuar për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë me të cilën Kuvendi i Shqipërisë po luan rolin e tij historik.

Duke Ju falënderuar edhe një herë për mikpritjen që më rezervuat, Ju lutem, pranoni, e nderuara Kryetare, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Vëllazërisht,

Jakup Krasniqi,
Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës