Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti dy përfaqësues ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut

, 05.03.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot kryesuesin e Zyrës së Komesariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë, z.Paul Miller dhe znj. Orsolya Szekely, zëvendëskryesuese e Zyrës se Këshillit të Evropës, më të cilët bisedoi për nivelin e realizimit të të drejtave të njeriut në Kosovë, posaçërisht për të drejtat e pjesëtarëve të minoriteteve, si dhe për çështjen e Avokatit të Popullit në Kosovë.

Kryeparlamentari Krasniqi ka theksuar rëndësinë që japin institucionet e Kosovës lirive dhe të drejtave të qytetarëve, duke i garantuar ato, sidomos të pjesëtarëve të minoriteteve, edhe me Kushtetutën e Kosovës, e cila do të miratohet në Kuvend brenda një kohe të shkurtër. Ai ka vënë në pah se Kosova e pavarur synon integrimet evropiane dhe ato euroatlantike .Në këtë vështrim legjislacionin e saj që në fillim mëton ta përshtatë me legjislacionin e vendeve të Unionit Evropian dhe ta bëjë Kosovën vend të sigurt dhe me mundësi të zhvillimit të papenguar për të gjithë qytetarët e saj.

Kryesuesi i Zyrës së Komesariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë, Paul Miller, në këtë takim ka ngritur edhe çështjen e institucionit të Avokatit të Popullit, funksionimi ligjor i të cilit do të ishte ndër garancitë për mbrojtjen më të suksesshme të drejtave të njeriut.

Kreu i legjislativit të vendit i ka njoftuar z. Miller dhe znj Szekely, se Kuvendi i Rrepublikës së Kosovës i jep rëndësi të madhe funksionimit të suksesshëm të Avokatit të Popullit, prandaj që javën e ardhshme do ta shpallë konkursin për këtë institucion të rëndësishëm publik. Duke theksuar se Kuvendi i ka harmonizuar dhe thjeshtësuar procedurat për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ai është zotuar se brenda afatit të paraparë ligjor do të zgjidhet personi me cilësitë më të mira për të ushtruar këtë funksion.
Kryeparlamntari Krasniqi priti dy përfaqësues ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut