Lajmet e fundit

Rrezatimi fisnik i Jasharëve

, 06.03.2008




Shkruan: Jakup Krasniqi

Si sot, dhjetë vjet më parë, në Prekazin e trimërive tradicionale, në Prekazin legjendar të Dardanisë antike, në Prekazin e Kosovës së re, një familje shqiptare, një lagje po luftonte guximshëm me një makineri të fuqishme ushtarake.

Vetë Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, po flijohej me familje atë ditë marsi të vitit 1998 për t’i dhënë zemër e gjak popullit të tij, për t’i dhënë jetë e liri atdheut të tij.

Akti heroik i familjes Jashari dhe i Komandantit legjendar, Adem Jashari, tashmë i vendosur në altarin e vlerave më të larta historike shqiptare, është krenaria e ligjshme e kombit dhe do të mbetet në kujtesën e brezave të sotëm dhe të ardhshëm të atdheut tonë. Ishte gatishmëria e flijimit të guximit njerëzor ajo që i hapi rrugë intervenimit ushtarako –humanitar të Aleancës Veri Atlantike – NATO-s për Kosovën.

Marsi i Epopesë së lavdishme të Jasharëve, marsi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i Ushtrisë së Adem e Hamëz Jasharit, çdo vit e ka pasur dhe vazhdon ta ketë përmasën e heroizmit familjar, por edhe përmasën e lavdisë kombëtare.

Shkurti i vitit 2008 ka përmasën e fitores së madhe dhe historike. Rrënjët e saj janë në flijimet e brezave që nga nëntori i vitit 1912, e më herët, janë në gjakun dëshmorëve të rënë, janë në qëndresën dhe në rënien heroike të Komandantit Adem Jashari dhe të familjes së tij.

Ky jubile i dhjetëvjetorit të Epopesë së Prekazit, koincidoi me shpalljen e Pavarësisë e të sovranitetit të Republikës së Kosovës, të shtetit që po vazhdon të njihet nga kombe e vende të botës demokratike.

Nëse qershori i vitit 1999 shënonte fundin e sundimit kolonial serb ne Kosovë, 17 shkurti i vitit 2008 e zyrtarizoi edhe ndërkombëtarisht lindjen e shtetit më të ri ne botë. Kështu shqiptarët me gjithë komunitetet tjera, duke pasur në mbështetje kombe e shtete të fuqishme të botës demokratike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian e shtete tjera të të gjitha kontinenteve, që na ndihmuan ta mbyllim kapitullin e dhembjeve të historisë, hapën rrugët e perspektivës për jetë të lirë e të dinjitetshme për çdo shtetas të Kosovës. Nga 17 shkurti, shqiptarët dhe komunitetet tjera, janë qytetarë më të drejta të barabarta në shtetin e tyre, në Republikën e Kosovës. Nga 17 shkurti, hartës së Evropës e të Botës i shtohet shteti i Kosovës. Nga 17 shkurti, nxënësit kudo në Evropë e në Botë do të mësojnë për një shtet të ri, për Republikën e Kosovës.

Do të kalojnë shumë vite e shekuj, do të kalojnë shumë shkurta e marsa, por epopeja e jasharëve do të mbetët e paharruar. Brezat do ta mësojnë historinë e UÇK-së, do të mësojnë për Komandantin Legjendar Adem Jasharin dhe për flijimin biblik të tre brazave të jasharëve legjendarë. Do të mësojnë për këtë rënie të madhe që nuk ka motërzim tjetër në Botë. Është kjo rënia prej ku rilindi dinjiteti ynë, liria jonë, lindi Republika e Kosovës së pavarur e sovrane.

Vetëm këtë mars, pranë varrezave e lapidarëve, në nderim të dëshmorëve, mund t’u themi atyre: Flini të qetë se Kosova është çliruar dhe shteti i saj po e gëzon njohjen ndërkombëtare.

Jasharët nuk e kanë të veçantë vetëm rënien, sepse familja e madhe Jashari e pati të veçantë edhe qëndresën ndaj dhembjes së madhe, burrërinë që i ka karakterizuar gjithmonë dhe modestinë brenda madhështisë historike. Askush nuk ka parë në sytë e jasharëve lotët e dhembjes e të dëshpërimit, askush nuk ka parë te jasharët ndjenjën e ligështimit, por as të mburrjes a të përfitimit. Lavdia e jasharëve legjendarë nuk përfundon me rënien e njëzet dëshmorëve, burra, gra e fëmijë, ajo jeton dinjitetshëm te 23 anëtarët e familjes së ripërtërirë, që vazhdojnë të rrezatojnë fisnikëri kombëtare e njerëzore.

Atdheut tonë, që dje kishte nevojë për gjakun e bijave dhe bijve të vet më të mirë, për flijimin e tyre në themelet e lirisë, sot i duhet fuqia ndërtuese e jetës së re, të lirë e demokratike, i duhet mendja dhe përkushtimi deri në vetëmohim i qytetarëve të saj më të ndërgjegjshëm për të renditur atë në radhën e vendeve të përparuara, në radhën e anëtarëve të familjes së madhe botërore.

Populli atdhedashës i Kosovës së lirë, do të nxjerrë nga gjiri i vet energji shpërthyese për ndërtimin e jetës së re, për të qenë i lumtur dhe krenar, për të qenë zot i fatit të vet dhe i barabartë midis të barabartëve.

Përcaktimi i Kosovës Republikë Demokratike do t’i bëjë të barabartë dhe të dinjitetshëm të gjithë qytetarët e saj, pa asnjë dallim dhe do ta kthejë atë nga vatër krize, në faktor paqeje e stabiliteti.

Borxhi ynë dhe i brezave që do të vijnë ndaj dëshmorëve nuk është vetëm respekti dhe ruajtja e kujtimit për lavdinë e veprës së tyre, por edhe vënia në vend e amanetit që na lanë për Kosovën e fortë e të zhvilluar, për jetën e lumtur që do të kenë fëmijët dhe të gjithë qytetarët e saj.

Më 17 shkurt, Kosova ka hyrë në frontin e saj të ri, jo më pak të vështirë se ai që lamë pas, në frontin e ngritjes e të përparimit, të përpjekjeve për paqe e miqësi dhe të hyrjes në familjen e madhe evropiane e botërore.

Shpreh bindjen që në përvjetorët tjerë të lavdishëm, do të mund t’u themi ballëlartë dëshmorëve dhe popullit të Kosovës, për të arritura të reja të përpjekjeve të përbashkëta.

I pavdekshëm qoftë kujtimi për Komandant Adem Jasharin, për Familjen Jashari dhe për gjithë dëshmorët e Kosovës!