Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti ndihmëssekretarin e Shtetit Amerikan, Daniel Fried

, 07.03.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot ndihmëssekretarin e Shtetit Amerikan, Daniel Fried, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së vendit dhe për punën që po bën Kuvendi i Kosovës për funksionalizimin e shtetit të ri të Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi ka shprehur konsideratat më të thella për qeverinë dhe popullin amerikan, të cilët kanë meritat më të mëdha për pavarësinë e Kosovës, prandaj populli i Kosovës dhe institucionet e saj do t’u jenë përjetë mirënjohës, ka theksuar kreu u legjislativit të vendit. Ai më pastaj ka folur për punën e Kuvendit të Kosovës, pas shpallje së pavarësisë së vendit, duke theksuar miratimin e një sërë ligjesh, në mesin e të cilave edhe nëntë ligje që burojnë nga Plani i Ahtisarit për Kosovën. Krasniqi ka pohuar se me procedurë të shpejtë do të miratohen edhe projektligje të tjera nga ky plan, sikurse do të miratohet së shpejti edhe Kushtetuta e Kosovës. Ai ka kërkuar që SHBA-të ta ndihmojnë anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të siguruar një zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit, si dhe për anëtarësim në OKB.

“Jam shumë i kënaqur që e vizitoj Republikën e Kosovës dhe që e shoh këtë flamur të Kosovës, i cili është aq i bukur dhe aq shprehës për realitetin e vendit tuaj” ka filluar bisedën ndihmëssekretari i Shtetit Amerikan, Daniel Fried, i cili ka përcjell përshëndetjet e sekretares amerikane të shtetit, Kondoliza Rajs, për institucionet e Kosovës. Ai ka shprehur kënaqësinë që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është shoqëruar me manifestime nacionaliste dhe triumfaliste, ndërkohë që në ndonjë vend tjetër u është vënë flaka ambasadave të vendeve perëndimore. Kjo, ka thënë Freid, tregon se sa të drejtë kemi pasur që e kemi ndihmuar dhe njohur shtetin e ri të Kosovës. Ai ka lavdëruar përkushtimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës për miratimin e Kushtetutës dhe të ligjeve nga Plani i Ahtisarit, ndërkaq, e ka garantuar kryeparlamentarin Krasniqi se Kosova do të funksionojë në tërësinë e saj territoriale.

Freid ka premtuar gjithashtu se SHBA-të do ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, kurse ka shprehur bindjen e tij të thellë se sa më të forta dhe më funksionale të jenë institucionet e Kosovës, aq më shpejt do të integrohen minoritetet në shoqërinë kosovare.

“Ne jemi krenar që jemi pjesë e kësaj vepre dhe tani qëllimi është që Kosova të shkojë në Evropë”, ka thënë ndihmëssekretari i Shtetit Amerikan, Daniel Fried, i cili ka theksuar se sa më shumë që Kosova të vazhdojë në rrugën e saj demokratike dhe sa më shumë të bëjë për minoritetet, aq më të fortë to t’i bëjë miqtë e saj të dëshmuar.
Kryeparlamntari Krasniqi priti ndihmëssekretarin e Shtetit Amerikan, Daniel Fried