Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion

, 11.03.2008




Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion, nën kryesinë e kryetares së këtij komisioni, zonjës Myzejene Selmani, mbajti sot mbledhjen e rregullt, në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i Planit dhe Programit të Punës së këtij komisioni për këtë vit.

Në mbledhjen e theksuar të Komisionit, duke folur për Planin dhe Programin për këtë vit, u tha që ky plan dhe program, krahas procedimit dhe marrjes në shqyrtim të projektligjeve të ndryshme me rëndësi të veçantë, para se gjithash të projektligjeve që dalin nga fushëveprimi i këtij komisioni, përmban organizimin e mbledhjeve, si me institucionet e Kosovës, para se gjithash me kompetentet nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave, nga Ministria e Energjetikës dhe e Xehetarisë, Ministria e Transportit, Postes dhe Telekomunikacionit, si dhe nga Ministria për Tregti dhe Industri, e po ashtu edhe me përfaqësuesit dhe institucionet ndërkombëtare, si, bie fjala, me përfaqësuesit e USAID-it, të NDI – së dhe të AER-it. Përveç kësaj, Komisioni do të shqyrtojë edhe disa projektligje vitale nga fushëveprimi i tij, siç është Projektligji për efiçiencën e Energjisë, Projektligji për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, Projektligji për komunikacionin civil, Projektligji për nxehjen qendrore, Projektligji për shërbimet e teknologjisë informatike, Projektligji për revizionin e brendshëm, Projektligji për damping, Projektligji për letrat me vlerë dhe bursë, Projektligji për gazin natyror, si dhe Projektligji për zonat e lira industriale. Njëkohësisht, ky Komision, në kuadër të kompetencave të tij, do të mbikëqyrë edhe aplikimin e ligjeve të caktuara, si në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, të Energjisë dhe Xehetarisë, të Transportit dhe Telekomunikacionit dhe në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë; në Autoritetin Rregullator të Telekomunikacionit, në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe në Komisionin e Pavarur për Xeherore dhe Minerale.

Siç del nga Plani dhe Programi i Punës për vitin 2008, anëtarët e Komisionit, në kuadër të vizitave punuese, do t’i vizitojnë disa ndërmarrje, siç është KEK-u, PTK, si dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Në fund të kësaj mbledhjeje të rregullt, anëtarët e Komisionit, me disa vërejtje dhe plotësime, miratuan Planin dhe Programin e Punës së Komisionit për këtë vit.
Nga mbledhja e rregullt e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion