Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti shefin e ri të Zyrës Greke në Prishtinë, Dimitris Moschopoulos

, 14.03.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot shefin e ri të Zyrës Greke në Prishtinë, Dimitris Moschopoulos, të cilit i ka dëshiruar mirëseardhje në Kosovës dhe punë të mbarë në përfaqësimin e diplomacisë greke në vendin tonë. Ai është shprehur optimist se do të thellohet edhe më bashkëpunimi i ndërsjellë në vazhdën e ish-shefit të Zyrës Greke, Kanellos.

Kryeparlamentari Krasniqi ka folur për realitetin e ri të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së vendit dhe për njohjen e shpejtë nga një varg vendesh të Bashkimit Evropian dhe nga vende të tjera.

Duke u ndërlidhur me zhvillimet në rajon, Krasniqi ka vlerësuar shumë të rëndësishme mundësinë e ndikimit të Greqisë dhe të vendeve të tjera të BE-së e të rajonit ndaj Beogradit zyrtar që të ndryshojë qëndrimin dhe ta pranojë realitetin e ri të Kosovës. Ai ka theksuar se nga zgjedhjet e 11 majit në Serbi do të varet nëse Serbia do të orientohet kah Evropa apo Rusia. Krasniqi ka pohuar se institucionet dhe populli i Kosovës nuk e dëshirojnë vetizolimin e Serbisë dhe të popullit serb.

Duke folur për ardhmërinë demokratike të Kosovës, Krasniqi ka pikasur se me miratimin e Kushtetutës së Kosovës, deri nga fundi i muajit, Kosova do të jetë vend i qytetarëve, me mundësi të barabarta për të gjithë.

Shefi i ri i Zyrës Greke në Prishtinë, Dimitris Moschopoulos, në takimin e parë njohës me kryeparlamentarin Krasniqi, ka theksuar se Greqia është optimiste për ardhmërinë e Kosovës, se është mike e saj dhe se dëshiron të ketë bashkëpunim të frytshëm jo vetëm në planin politik, por edhe në planin ekonomik. ”Qeveria jonë i trimëron investitorët grekë të investojnë në ekonominë e Kosovës”, ka thënë Moschopoulos, i cili ka theksuar se duke qenë anëtare e BE-së Greqia mund të jetë bartëse e politikave të partneritetit në rajon. Kur të gjitha vendet e rajonit të anëtarësohen në Unionin Evropian, rajoni ynë do të jetë i qetë e i përparuar dhe do të duket i vogël, ka thënë diplomati grek.
Kryeparlamntari Krasniqi priti shefin e ri të  Zyrës Greke në Prishtinë, Dimitris Moschopoulos