Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi bashkë me shefat e grupeve parlamentare u takua me një delegacion të kongresistëve amerikanë

, 15.03.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi , bashkë me shefat e grupeve parlamentare, kishte sot një takim me një delegacion të kongresistëve amerikanë, në përbërje : Wayne Gilchrest , David Dreier,Judy Biggert, Joe Wilson, Rush Holt, Lois Capps , David Price,Earl Pomeroy, Adam Schiff.Ky delegacion, i cili ishte i shoqëruar edhe nga shefja e Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, Tina Kajdanov, është një Komision i cili u ofron ndihmë shteteve në tranzicion.

Pas përshëndeti delegacionin, Kongresin e Amerikan, presidentin Bush, sekretaren e Shtetit, Kondoliza Rajs dhe mbarë popullin amerikan për mbështetjen e pakursyer që i kanë dhënë e po i japin formimit dhe ndërtimit demokratik të shtetit më të ri në botë, Republikës së Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës foli në mënyrë mjaft të shkoqitur për përbërjen e Parlamentit të Kosovës, si dhe për proceset më te reja në Kosovë, siç ishin zgjedhjet dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës . Në vijim kryeparlamentari Krasniqi i njoftoi kongresmenët amerikanë edhe me dinamikën e aprovimit të ligjeve gjatë muajit të fundit nga ana e Kuvendit të Kosovës. Përkitazi me këtë ai tha se brenda një kohe shumë të shkurtër parlamentarët e Kosovës aprovuan 19 ligje nga Pakoja e Ahtisarit me procedurë të shpejtuar , si dhe 28 ligje të tjera në lexim të parë. Një trajtim i veçantë në këto ligje iu jepet pozitës së minoriteteve , e posaçërisht minoritetit serb. Është për t’ u theksuar se ligjet nga Pakoja e Ahtisarit janë aprovuar sipas mocionit për procedurë të shpejtuar të tyre nga dy të tretat e deputetëve. Në këtë vështrim u dëshmua një unitet i plotë i grupeve parlamentare. Angazhimi i gjithëmbarshëm yni, tha kryeparlamentari Krasniqi, është që të krijojmë një ambient të qetë për të gjithë, duke lënë prapa të kaluarën, për të ndërtuar një të ardhme sa më të mirë për të gjithë, për t’ ua lënë trashëgim pasardhësve tanë.

Në diskutimet e tyre Xhezair Murati,Ibrahim Makolli, Ramë Buja, Lutfi Haziri, Lulzim Zeneli dhe Ardian Gjini, theksuan përkushtimin e veçantë të grupeve që përfaqësonin për të ecur përpara në ndërtimin e shtetit ligjor e me demokraci të qëndrueshme të shtetit të Kosovës. Në tërë punën rreth aprovimit të ligjeve që është bërë ditëve të fundit nuk është hetuar se Parlamenti i Kosovës ka opozitë, sepse deputetët pa dallim partie ishin të vendosur për të kompletuar infrastrukturën ligjore, sidomos kur është fjala për ligjet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit. Si kryeparlamentari, ashtu edhe të gjithë shefat e grupeve parlamentare, ishin të një mendimi se partneriteti me shtetet e Bashkimit Evropian, e posaçërisht me SHBA-të, ka pasur dhe do të ketë një rëndësi të veçantë në progresin e mëtejmë të Kosovës. Në këtë frymë ata theksuan edhe sfidat tjera me të cilat do të ballafaqohet Kosova, sidomos në aspektin ekonomik, lëmë ky që është vështirë të përballohet pa ndihmën e SHBA-ve dhe të BE-së. Angazhimi ynë, theksuan ata, do të tregojë se sa e drejtë ka qenë përkrahja e Kosovës gjatë gjithë proceseve të deritashme të SHBA-së, të BE-së dhe shteteve tjera demokratike.

Duke folur rreth nevojës së përfshirjes së serbëve në jetën institucionale dhe atë shoqërore në Kosovë, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se pjesëmarrja e serbëve po pengohet nga Beogradi, i cili po i kërcënon ata.

Kongresistët amerikanë përgëzuan parlamentarët dhe mbarë qytetarët e Kosovës për gjithë këto të arritura, sidomos kur është fjala për përgjegjësinë e lartë për ndërtimin e shtetit të Kosovës, për tolerancën , dëshirën për të punuar afër e afër me minoritetet, duke lënë anash të kaluarën e duke u angazhuar për një të ardhme sa më të mirë. Ata vlerësuan shumë lart, pjekurinë e madhe, sidomos përmbajtjen që tregoi populli i Kosovës në këto kohë plot sfida, duke shprehur dëshirën që kjo vetëpërmbajtje të vazhdojë edhe më tutje. Ata njëkohësisht u shprehën të impresionuar me dinamikën e aprovimit të ligjeve nga Pakoja e Ahtisarit.
Kryeparlamentari Krasniqi bashkë me shefat e grupeve parlamentare u takua me një delegacion të kongresistëve amerikanë