Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

, 17.03.2008




Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e kryesuar nga Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar Projekt-Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke përfunduar, pas një debati të gjerë, se deri në miratimin e Kushtetutës duhet të evitohen paqartësitë dhe kundërthëniet në aktin më të lartë juridik të vendit.

Anëtarët e Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, kanë vërejtur se me zgjidhjet kushtetuese reduktohet roli i Kuvendit në Kosovën e proklamuar Republikë Parlamentare. Ka pasur vërejtje sidomos për përbërjen e Kryesisë së Kuvendit, prej pesë anëtarësh, dy nga të cilët detyrimisht duhet të jenë përfaqësues të minoritete, që nuk përkon as me forcën politike të subjekteve parlamentare, as me strukturën etnike të popullsisë së Kosovës. Në mbledhje, madje, është theksuar se Proket-Kushtetuta më shumë se zgjidhje stabile, prejudikon dhe çimenton raporte kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përçuar mesazhe të politikës ditore.

Mu për këtë, si përfundim i kësaj mbledhjeje, ka dalë kërkesa që Komisioni Kushtetues të ftohet në mbledhjen e Kryesisë, në të cilën do të merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare dhe të dëgjojë vërejtjet dhe sugjerimet për zgjidhje më të qëndrueshme kushtetuese.
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme