Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 17.03.2008




Procesi i integrimit evropian dhe reformat gjegjëse në rrugën e këtij integrimi janë prioritet kryesor i Qeverisë së Kosovës, është shprehur zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të drejtuar nga znj. Zylfie Hundozi, kryetare e komisionit.

Kosova, si një shtet tashmë i pavarur, ka të drejtë të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian duke e nënshkruar Mrrëveshjen e Stabilizim Asocimit, si një ndër hapat që duhet ndërmarrë në rrugën drejt integrimit evropian, u ka thënë Kuçi anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Duke e bërë të qartë përkushtimin e Qeverisë në këtë proces, ai ka përmendur themelimin dhe funksionimin e suksesshëm të Agjencionit për Integrim Evropian, funksionimin e Zyrave për Integrim Evropian nëpër ministri, si dhe emërimin e zyrtarëve për integrime evropiane nëpër komunat e Kosovës. Fakt tjetër në hullinë e këtij procesi zëvendëskryeministri Kuqi ka përmendur takimet shpeshta (trembëdhjetë sish deri më tani) të Stabilizim Asocimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian. Në këtë mes ka veçuar Planin e veprimit të partneritetit Evropian, si dhe përfitimet e Kosovës nga Paraanëtarësimi në BE për periudhën 2007-2013. Kuçi nuk ka lënë pa i përmendur edhe specializimet e shumta të studentëve kosovarë nëpër universitetet evropiane për çështje të BE-së, të financuara nga Komisioni Evropian dhe Agjencioni Evropian për Rindërtim.

Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane e kanë vlerësuar punën e Qeverisë për sa u përket integrimeve evropiane duke e quajtur fat të mirë përkushtimin e theksuar të institucioneve, por edhe të qytetarëve të Kosovës për integrime evropiane. Ata i kanë shtruar pyetje të shumta kryeministrit Kuçi për gjithë procesin e integrimeve evropiane duke dhënë edhe sugjerime të ndryshme, ndër të cilat edhe për kërkesën, të cilën duhet t’ua bëjë Qeveria jonë vendeve të BE-së për liberalizimin e pjesshëm të vizave për kategori të veçanta të popullsisë së Kosovës, si: për studentë, studiues, punëtorë sezonalë etj.
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane