Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë

, 20.03.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar Projekt-Rregulloren për Punën e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Projekt- Rregulloren për stafin politik. Pas shqyrtimit nen për nen të tyre dhe vërejtjeve për zgjidhje më të përshtatshme, Kryesia i ka miratuar këto dy rregullore.

Duke e shqyrtuar çështjen e Raportit të punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2007, Kryesia ka vendosur t’ua kalojë atë për shqyrtim Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, si dhe Komisionit për Siguri, të cilët pastaj do t’i rekomandojnë Kryesisë nëse duhet të ketë debat parlamentar për këtë raport. Kryesia, ndërkaq, po në këtë mbledhje ka shqyrtuar edhe propozimin për emërimin e tre anëtarëve në Këshillin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, si dhe Propozim-vendimin për caktimin e shpenzimeve të telefonisë (fikse dhe mobile) dhe ato të bufesë.

Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe anëtari Kryesisë nga radhët e SLS-së, Sllobodan Petroviq, i cili e ka njoftuar Kryesinë se që nga sot deputetët e Grupit Parlamentar të SLS-së do të marrin pjesë në punimet e të gjithë mekanizmave të Kuvendit. Ai i ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për mirëkuptimin e treguar për mungesën njëmujore deputetëve nga ky grup në aktivitetet e Kuvendit të Kosovës. Ai e ka njoftuar Kryesinë edhe për takimin që ai ka pasur me punonjësit e nacionalitetit serb në Administratën e Kuvendit, të cilët janë shprehur se nuk kanë asnjë pengesë për angazhimet e përditshme të tyre në punë.
Nga mbledhja e Kryesisë