Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e AKK-së, Bajram Rexhepi

, 20.03.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), z. Bajram Rexhepi, njëherësh kryetar i Komunës së Mitrovicës, i cili shoqërohej nga Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i AKK-së.

Në takim është biseduar për gjendjen në Mitrovicë me rrethinë pas shpalljes së pavarësisë Kosovës, për gjendjen e sigurisë atje dhe për përpjekjet e udhëheqjes së komunës dhe të faktorëve ndërkombëtarë për integrimin e qytetit të Mitrovicës dhe për sigurimin e paqes e të stabilitetit në këtë pjesë të Kosovës.

Pasi ka dëgjuar fjalën e zotit Rexhepi për gjendjen në Mitrovicë dhe rrethinë dhe përpjekjet serioze që po bëhen për tejkalimin e vështirësive, kryeparlamentari Krasniqi e ka përgëzuar mysafirin e tij për punën e mirë që po bën në Mitrovicë, ndërkaq, e ka vlerësuar edhe rolin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, të cilin e kryeson Rexhepi.

Kreu i legjislativit të Kosovës, Krasniqi, ka shprehur gatishmërinë për të shpeshtuar komunikimin ndërmjet Kuvend të Kosovës dhe kuvendeve komunale dhe thellin e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar për rëndësinë që ka bashkëpunimi më i mirë ndërmjet komisioneve parlamentare dhe kolegjiumeve profesionale të AKK-së.

Kryetari i AKK-së, Bajram Rexhepi, me këtë rast, i ka dorëzuar kryeparlamentarit Krasniqi disa publikime dhe manuale të AKK-së.
Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e AKK-së, Bajram Rexhepi