Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 21.03.2008




Në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi, në të cilin merrnin pjesë ekspertë juridik nga Universiteti dhe asociacionet e ndryshme të juristëve të Kosovës është debatuar për Projektligjin për procedurën Kontestimore.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, i cili e ka drejtuar dëgjimin publik, ka theksuar fushën tepër komplekse që do ta rregullojë Ligji për Procedurën Kontestimore, i cili është miratuar në parim më 27 shkurt të këtij viti, prandaj ka vlerësuar ai, mendimi profesional i asociacioneve të ndryshme të juristëve të Kosovës, mendimi shkencor i profesorëve universitarë dhe vërejtjet e mekanizmave të jashtëm që e ndihmojnë Kuvendin, është me rëndësi të madhe për perfeksionimin e këtij projektligji deri në shqyrtimin e dytë dhe miratimin përfundimtar të tij.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Bedri Tahiri, ka shpjeguar gjitha tratativat Ministrisë, e cila është sponsorizuese e projektligjit, për ta nxjerrë atë për miratim në Kuvend. Ai ka theksuar se projektligji ishte hartuar në vitin 2005, ende pa u krijuar Ministria e Drejtësisë, por se ishte stopuar nga UNMIK-u për shkak të kompetencave të rezervuara. Edhe në versionin e parë edhe gjatë ripunimit të projektligjit, ka thënë ai, janë angazhuar ekspertë civil-juridik të njohur ndërkombëtarë.

Me vërejtjet dhe plotësimet e tyre kanë kontribuuar edhe përfaqësuesi i Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, përfaqësuesi i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rifat Zylfiu (ishte pjesëtar i ekipit hartues të projektligjit), përfaqësuesi nga NDI-a, Reshit Gashi, profesori i Universitetit të Prishtinës, Faik Brestovci e të tjerë, si dhe juristë nga radhët e Komisionit.

Shumë nga vërejtjet dhe plotësimet e këtij projektligji prej 530 nenesh do të përpilohen si amendamente dhe do t’i propozohen seancës plenare për miratim.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi