Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë

, 25.03.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare ka vendosur që seanca parlamentare e radhës të mbahet të premten, më 28 mars.

Pjesa e parë e seancës do tu kushtohet pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë dhe përgjigjeve të Kabinetit qeveritar në pyetjet e parashtruara.

Më pastaj do të procedohet me shqyrtimin për herë të parë të dy projektligjeve: Projektligjit të produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe Projektligjit për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes.

Kryesia po në këtë mbledhje ka shqyrtuar rekomandimin e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion që ka të bëjë me tërheqjen në ripunim të Ligjit për Ngrohjen Qendrore (i hartuar nga i njëjti komision në Legjislaturën II dhe i miratuar më 3.10.2005, por i pashpallur nga PSSP-ja).

Duke shqyrtuar, nismën e të njëjtit komision për hartimin e Projektligjit për shfrytëzimin e ujërave, ujërave të zeza, dhe të mbeturinave, Kryesia e ka mbështetur këtë nismë, por ka kërkuar që Komisioni të shohë se ç’është punuar për këtë projektligj gjatë Legjislaturës së kaluar dhe të vihet në kontakt me ministrinë përkatëse të Qeverisë së Kosovës, si dhe ta njoftojë Kryesinë për rezultatet e arritura dhe sa është kostoja financiare e hartimit të këtij projektligji.
Nga mbledhja e Kryesisë