Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me Komisionin Kushtetues

, 25.03.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës i ka thirrur sot në një takim të përbashkët anëtarët e Komisionit Kushtetues të Kosovës, për të raportuar për gjithë punën që ka bërë Komisioni për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Këtë takim, në të cilin merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, e ka drejtuar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kurse raportin për procesin e hartimit të Kushtetutës e ka paraqitur kryetari i Komisionit Kushtetues, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Hajredin Kuçi. Ai ka theksuar se Komisioni ka pasur për qëllim dhe detyrë që ta harmonizojë në mënyrën më të mirë vullnetin e popullit të Kosovës me Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit dhe se versioni i hedhur në diskutim publik i Projektkushtetutës është miratuar me konsensus të plotë të anëtarëve të Komisionit. Kuçi në vazhdim ka theksuar punën e madhe që është bërë në planin e harmonizimit për Kushtetutën ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve të Kosovës, harmonizimit me bashkësinë ndërkombëtare dhe me komunitetet që jetojnë në Kosovë. Ai ka theksuar se anëtarët e Komisionit kanë qenë të vetëdijshëm se nuk mund të krijohet një akt kushtetues të përkryer, por se kanë hartuar një Projektkushtetutë të mirë, për të cilën, para se t’i dorëzohet Kuvendit për miratim, duhet marrë pëlqimin edhe të Përfaqësuesit Civil-ndërkombëtar në Kosovë.

Kryeparlamentari Krasniqi, por edhe anëtarët e tjerë të Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare kanë pasur vërejtje për zgjidhje të veçanta që ofron Projektkushtetuta, si dhe kanë bërë pyetje të shumta dhe kanë propozuar formulime më praktike për dispozita të veçanta.

Në këtë takim është konstatuar se Projektkushtetuta nuk e precizon mirë nëse Kosova do të jetë Republikë Parlamentare apo Presidenciale dhe se reduktohet përfaqësimi në Kryesi i subjekteve parlamentare të shumicës.

Anëtarët e Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, Ramë Manaj dhe Arsim Bajrami, u janë përgjigjur pyetjeve tyre, si dhe kanë sqaruar se qëllimisht nuk është precizuar rregullimi kushtetues i vendit, sepse Pakoja e Ahtisarit vërtet i jep ingjerenca kryetarit të Kosovës më shumë se sa ka ai zakonisht në republikat parlamentare, kanë pohuar ata.

Nëse i jepet pushtet aq i fortë kryetarit të Kosovës, atëherë ai do të duhej të votohej me më shumë vota se sa me shumicën e thjeshtë parlamentare, kanë sugjeruar kuvendarët e Kosovës, të cilët megjithatë kanë lavdëruar punën e bërë nga Komisioni Kushtetues i Kosovës.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit  me Komisionin Kushtetues