Lajmet e fundit
Në Kuvend u prit një delegacion i Parlamentit Evropian
, 25.03.2008
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtarët e Kryesisë: Sabri Hamiti, Ibrahim Gashi e Slobodan Petroviq dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Zylfie Hundozi, ka pritur sot një delegacion të Parlamentit Evropian në përbërje të të cilët ishin z.Jelko Kacin (Slloveni), z.Johannes Lebech (Danimarkë) dhe znj. Renate Weber, (Rumani), anëtarë të Aleancës së Demokrateve dhe Liberalëve në Parlamentin Evropian , si dhe Rune Glasberg, këshilltar i udhëheqësit të kësaj Aleancës z. Graham Watson.
Kryeparlamentari Krasniqi, duke u uruar mirëseardhje anëtarëve të Aleancës së Demokrateve dhe Liberalëve në Parlamentin Evropianë, ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të kësaj Aleance për Kosovën dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës, sipas vullnetit të popullit të Kosovës. Krasniqi pastaj ka folur për përbërjen e Kuvendit t Kosovës, për shpalljen e pavarësitë më 17 shkurt të këtij viti dhe njohjen ndërkombëtare që ka pasuar, si dhe për miratimin e ligjeve që burojnë nga Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisarit, por dhe për Kushtetutën që pritet të miratohet në pesën e parë të prillit.
Duke u ndërlidhur me procesin e vështirë të shtetësisë, të cilin e ka kaluar Kosova, Krasniqi ka spikatur festimin dinjitoz të qytetarëve të Kosovës, por edhe ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit të vendit me gjithë protestat e një pjese të qytetarëve serbë, të cilët vazhdojnë të manipulohen nga regjimi i Beogradit. “Kosova tani ka nevojë për zhvillim të përshpejtuar ekonomik dhe për sundim të ligjit, prandaj Kuvendi po punon për miratimin e ligjeve për qytetarët e Kosovës”, ka theksuar kreu i legjislativit të vendit.
Anëtari i Aleancës së Demokrateve dhe Liberalëve në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin nga Sllovenia, e ka uruar udhëheqjen e Kuvendit për pavarësinë e vendit dhe ka shfaqur kënaqësinë që Kosova do ta miratojë edhe Kushtetutën e saj. Kosova ka qenë, është dhe do të jetë vend shumetnik, multikulturor dhe multifetar, ka theksuar Kacin, i cili është shprehur në favor të mbështetjes së Kosovës për zhvillim ekonomik dhe anëtarësim në BE. Ai, ndërkaq, duke i dhënë mbështetje deputetëve serbë të SLS-së, e ka trimëruar anëtarin e Kryesisë, Petroviq që të qëndrojë në rrugën e bashkëpunimit me shumicën shqiptare dhe pjesëmarrjen kreative në institucionet e Kosovës.
Përfaqësuesja tjetër e kësaj Aleance, Renate Weber, nga Rumania, ka shfaqur keqardhje pse vendi i saj ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, duke theksuar se ajo e ka bërë publike mospajtimin e saj me qeverinë e vendit të saj për këtë çështje.
Johannes Lebech nga Danimarka ka spikatur se është e vështirë të perceptohen në Skandinavi zhvillimet historike në Ballkan, prandaj, ka thënë ai, nëse zhvilloni bashkëpunim të suksesshëm me fqinjët, bëni punën më të mirë për integrim në Evropë.
Edhe anëtarët e Kryesisë, Hamiti, Gashi dhe Petroviq, si dhe zonja Hundozi, kanë spikatur vullnetin e Kosovës për integrime evropiane, por edhe kanë kërkuar mbështetjen e Parlamentit Evropian për zhvillim më të shpejtë të Kosovës.
Parlamentarët Evropianë nga radhët e Aleancës së Demokrateve dhe Liberalëve, kanë premtuar mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj të mëvetësisë drejt integrimeve evropiane. Ata u kanë shfaqur gatishmëri për mbështetjen dhe forcimin e parlamenteve nacionale, si dhe u kanë sugjeruar kuvendarëve të Kosovës të kenë pronësi për atë që bëjnë për shtetin e tyre.