Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane

, 26.03.2008




Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës kishte ftuar sot ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, për të raportuar para komisionit për politikat dhe strategjinë e Ministrisë, të cilën e udhëheq, lidhur me integrimet evropiane.

Ministri Zharku ka prezantuar para anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane një material, në të cilin përfshiheshin: Raporti i punës për vitin 2008, prioritetet për vitin 2008, matricat e PVPE-së dhe raporti i progresit të Komisionit Evropian për vitin 2007.

Për sa i përket integrimit evropian, MTI-a është përqendruar në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet fqinje, në Kartën e Ndërmarrjeve të Vogla, përmbushjen e detyrave që dalin nga partneriteti Evropian për Kosovën dhe raportimin e rregullt në takimet e radhës së Mekanizmit Përcjellës të Asocim-Stabilizimit.

Ndër prioritet për vitin 2008 Zharku ka veçuar amendamentimin e Ligjit për akreditim dhe të atij për Mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe miratimin e Ligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve dhe nxjerrjen e akteve nënligjore për implementimin e Ligjit për standardizim.

Anëtarët e Komisionit në vazhdim kanë shtruar pyetje të shumta lidhur me strategjinë e MTI-së për integrime evropiane, si dhe kanë dhënë sugjerime të ndryshme, sidomos për sa i përket mbrojtjes së prodhimeve vendore, e në veçanti të prodhimeve bujqësore sezonale.

Ministri Zharku dhe sekretari i përhershëm i MTI-së, Ibrahim Krasniqi, kanë theksuar se Bashkimin Evropian, por edhe në vendet e CEFTA-s, nuk e shikojnë me simpati subvencionimin shtetëror të prodhimeve. Duhen parë mundësitë që nëpërmjet projekteve konkurruese, të hapen perspektiva për donacione dhe investime të jashtme në bujqësinë dhe agrobiznesin e Kosovës, kanë thënë ministri dhe sekretari i MTI-së.

Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane, në po këtë mbledhje të drejtuar nga Zylfie Hundozi, kryetare e komisionit, ka miratuar Planin e punës së komisionit për tremujorin vijues, në të cilin janë paraparë një sërë aktivitetesh, si: dëgjime publike për ligje dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me integrime evropiane, raportime të krerëve të ekzekutivit të vendit, takime me përfaqësues ndërkombëtarë, vizita në parlamente të vendeve të tjera dhe takime me komisionet respektive etj.
Nga mbledhja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane