Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 01.04.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën morën pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, përcaktoi rendin e ditës së seancës plenare të Kuvendit të Kosovës. Mbledhja e radhës së Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 4 prill të këtij viti.

Pas përgjigjeve në pyetjet parlamentare, në këtë mbledhje të Kuvendit deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë dy projektligje, përkatësisht : Projektligjin për vula në institucionet e Republikës së Kosovës dhe Projektligjin për Sigurinë private, ndërkaq, për herë të dytë do të shqyrtohen Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Përkohshëm të Kosovës dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kooperativat e bujqve.

Kryesia kishte në rëndin e ditës edhe shqyrtimin e Propozimit të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e hapësirës – trasesë për ndërtimin e autoudhës Morinë – Merdare dhe të asaj Prishtinë - Hani i Elezit, si zonë me interes të veçantë në Kosovë. Lidhur me këtë u tha se ky propozim së pari duhet të shqyrtohet në komisionet përkatëse të Kuvendit: në Komisionin për Ekonomi,Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion dhe në atë për Buxhet dhe Financa dhe në mbështetje të rekomandimeve të këtyre komisioneve, pastaj ky propozim të shqyrtohet në Kryesi për procedim të mëtejmë.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit