Lajmet e fundit

Nga Dëgjimi Publik për Projektligjin për Noterinë

, 02.04.2008




Dëgjimin Publik për Projektligjin për Noterinë, të organizuar nga Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi e ka hapur dhe drejtuar Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit. Ai ka theksuar rëndësinë që ka miratim i këtij projektligji për gjyqësinë e Kosovës dhe për qytetarët e vendit tonë, prandaj e ka çmuar edhe dëgjimin e ekspertëve juridik për këtë projektligj.

Në këtë dëgjim përveç anëtarëve të Komisionit, morën përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë - propozues të këtij Projektligji, përfaqësuesi i Odës së Avokatëve, përfaqësuesi i OSBE-së, përfaqësuesi i Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) që e mbështet punën e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, përfaqësuesit nga USAID-i që e mbështesin punën e Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e NCSC-organizatë Amerikane që mbështet punën e Komisionit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, përkatësisht, të organizatës Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Bedri Bahtiri, ka sqaruar elemente të shumta që janë pasur parasysh gjatë hartimit të këtij Projektligji, duke spikatur sidomos pjesëmarrjen dhe kontributin e ekspertëve juridikë nga Zvicra gjatë hartimit të këtij projektligji. Ai nënvizoi se pasi që Kosova më herët nuk ka pasur një Ligj për organizimin e Noterisë, hartimi i këtij projektligji dhe procedimi i tij paraqet risi dhe përparim në planin e shërbimeve të noterisë.

Reshit Gashi nga NDI-a, ka vënë në pah rëndësinë e këtij projektligji, ngase, ka vlerësuar ai, Ligji për Noterinë bashkë me Ligjin për Avokatin e Popullit janë ligje të demokracisë.

Përfaqësuesi nga USAID-i, Haxhi Gashi, ka paraqitur disa vërejtje për Projektligjin, të cilat paraprakisht ia kishte paraqitur komisionit edhe me shkrim dhe që kishin të bënin me disa pjesë të projektligjit.

Edhe Përfaqësuesi i Odës së Avokatëve, Bajram Maraj, ka pasur vërejte për këtë projektligj, kurse Robert Steere nga NCSC-ja, ka prezantuari para Komisionit një material me krahasime se si është e rregulluar Noteria në vende të ndryshme, si dhe ka shprehur vrojtime personale në lidhje me projektligjin. \

Gjatë këtij dëgjimi publik anëtarët e Komisionit u kanë shtruar pyetje të shumta ekspertëve të ftuarit, të cilave ata u janë përgjigjur me kompetencë profesionale.

Në orët e pasdites Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi, ka pasur edhe një mbledhje të rregullt, në të cilën ka shqyrtuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin Ligjit për ekzekutimin e sankcioneve penale, për të cilin ka hartuar edhe amendamentet, të cilat duhet të nxirren për miratim në seancë plenare të Kuvendit.

Nga Dëgjimi Publik për Projektligjin për Noterinë