Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 08.04.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Komisionit Kushtetues të Kosovës, njëherësh zëvendskryeministër, Hajredin Kuçi, si dhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që ditën e mërkurë, më 9 prill të këtij viti, të thërras Seancën solemne për miratimin e Kushtetutës së Kosovës. Kështu është vendosur sipas kërkesës me shkrim të kryetarit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi drejtuar kryeparlamentarit Krasniqi.

Kryetari Sejdiu duke e marrë fjalën para anëtarëve të Kryesisë së kuvendit dhe shefave të grupeve parlamentare, ka the rëndësinë e miratimit të aktit më të lartë juridik të vendit, i cili është aq i rëndësishëm për funksionimin e shtetit të pavarur të Kosovës, funksionimin e institucioneve të vendit, garantimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe për afirmimin ndërkombëtar të shtetit tonë të ri. Certifikimin e Kushtetutës së Kosovës nga përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, kryetari Sejdiu e ka vlerësuar si garanci se akti më i lartë juridik i vendit është harmonizuar drejtë me Planin Gjithëpërfshirës të Ahtiarit. Ai, ndërkaq, ka vënë në pah se duhet kaluar sa më shpejt edhe periudhën e tranzicionit.

Kryeministri Thaçi, duke e vlerësuar bashkëpunimin tepër të mirë të Komisionit Kushtetues të Kosovës, të institucioneve, të subjekteve politike dhe të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtar gjatë hartimit të Kushtetutës, ka ftuar që edhe seanca e nesërme të jetë seancë e unitetit të plotë shtetformues. Ai është zotuar se qeveria, të cilën e udhëheq, do të punojë me përkushtim për zbatimin e plotë të Kushtetutës së vendit.

Kryetari Sejdiu dhe kryeministri Thaçi ia kanë dorëzuar, më këtë rast, kryeparlamentarit Krasniqi një kopje të certifikuar dhe të nënshkruar të Kushtetutës së Kosovës.

Krasniqi, ndërkaq, duke falënderuar e ka përgëzuar punën e mirë të Komisionit Kushtetues të Kosovës, sidomos të kryesuesit të tij, zotit Kuçi.

Edhe anëtarët e Kryesisë e kanë vlerësuar punën e Komisionit, duke i dhënë mbështetje të plotë kushtetutës së Kosovës.

Në vazhdim Kryesia e Kuvendit të republikës së Kosovës ka vazhduar mbledhjen për ta përcaktuar seancën e rregullt të Kuvendit, e cila do të mbahet më 17 prill, me këtë rend dite: Përgjigjet e kabinetit qeveritar në pyetjeve parlamentare, Shqyrtimi për herë të parë i Projektligjit për Sponsorizimet në kulturë, rini dhe sporte, të atij për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”dhe për ansamblet e tjera, si dhe të Projektligjit për Ndërmjetësim.

Kryesia po në këtë mbledhje ka shqyrtuar Informatën e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Miniera, Transport e Telekomunikacion lidhur me nismën për hartimin e Projektligjit për shfrytëzimin e ujërave, ujërave të zeza dhe të mbeturinave, duke tumirë këtë kërkesë.

Anëtarët e Kryesisë kanë pasur temë shqyrtimi edhe njoftimin e OSBE-së lidhur me trajnimet, seminaret dhe vizitat parlamentare për periudhën Mars- Maj 2008, si dhe çështje të tjera të organizimit të Kuvendit.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit