Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion të deputetëve të Luginës së Preshevës

, 08.04.2008




Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me një delegacion të deputetëve nga komunat e Preshevës dhe të Bujanocit, të kryesuar nga Jonuz Musliu. Takimi u zhvillua në frymë të përgëzimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj, për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, me fjalët më të mira edhe për Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila do të aprovohet nesër në Kuvend.

Në prononcimin para medieve , kryeparlamentari Krasniqi, theksoi se sukseset e arritura në Kosovë janë fryt i përpjekjeve të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë. Ai pastaj i përcolli delegacionit mesazhin që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e zgjidhjeve të problemeve në Ballkan. Në këtë vështrim ai shprehu qëndrimin se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin lokal dhe në ato parlamentare. Në Kosovë do të bëjmë politikë konstruktive që nuk do të reflektojë destabilizim në Luginën e Preshevës, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Kreu i legjislativit të Kosovës tha se në këtë takim u shpreh kërkesa nga delegacioni për regjistrim të studentëve nga Lugina e Preshevës në universitetet e Kosovës në numër të pakufizuar, kërkesë kjo që gjeti përkrahje.

Duke folur rreth zgjedhjeve të ardhshme në Serbi, Jonuz Musliu theksoi se faktori shqiptar ende nuk është i unifikuar sa i përket asaj se a duhet të dalim apo jo në zgjedhje komunale. Ne bashkë me faktorin ndërkombëtar jemi duke biseduar se nga duhet të ecim, ashtu si vepruam edhe sot në këtë takim , nga morëm mesazhe të qarta rreth këtyre proceseve në Luginën e Preshevës.
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion të deputetëve të Luginës së Preshevës