Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 11.04.2008




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës , të kryesuar nga Gani Koci, kryetar i Komisionit, ku mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, si dhe sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, si pikë e parë e rendit të ditës u shtrua informata tremujore e shpenzimeve buxhetore të këtij viti në Kuvendin e Kosovës , në mbështetje të Rregullores së Kuvendit, përkatësisht nenit 6 pika 8. Kjo temë shqyrtohej në aspektin se athua vendimet e fundit të marra nga ana e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës lidhur me disa kompensime kishin bazë buxhetore, në kuadrin e shpenzimeve të parapara për këtë vit. Përkitazi , me këtë, në këtë mbledhje në fillim foli kryeparlamentari Krasniqi, i cili theksoi se në Kuvend kemi rregullat e punës dhe në mbështetje të tyre edhe duhet të punojmë. Megjithëse kemi aprovuar Kushtetutën, derisa Rregullorja e punës të ndryshohet, ajo duhet të zbatohet. Në vijim kryetari i Kuvendit foli edhe lidhur me kompensimet e anëtarëve të Kryesisë dhe të deputetëve, me theks të veçantë të anëtarëve të komisioneve , të cilët punojnë në dy komisione, të cilët do të duhej të kenë një pagese më të lartë kundruall atyre që janë të angazhuar vetëm në një komision . Pastaj duhet të shikohet edhe mënyra e pagesës së shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve , sepse jo të gjithë deputetët janë të një largësie të njëjtë nga Prishtina, rrjedhimisht dikush paguan më shumë për rrugë e dikush më pak. Mirëpo, çështja e angazhimit të deputetëve në më shumë detyra njëkohësisht duhet të jetë edhe çështje e grupeve parlamentare. Ndaj, është e nevojshme ,tha kryeparlamentari Krasniqi, që lidhur me disa mangësi të Rregullores së Kuvendit të jepen propozime dhe rekomandime për ndryshime nga ana e këtij Komisioni në bashkëpunim me sekretarin. Kështu, do të përmirësohej politika e kompensimeve, në mënyrë që të evitohen diferencat në kompensimin e deputetëve, por edhe të anëtarëve të Kryesisë, theksoi kryeparlamentari Krasniqi. Çështja e kompensimeve do të rregullohej me rishikim të buxhetit në fund të perudhës gjashtëmujore.

Duke u inkuadruar në këtë problematikë, Gani Koci theksoi se është e nevojshme që shpërblimi i deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë të bëhet në bazë të vëllimit të punëve, meqë ka raste kur angazhimet e anëtarëve të komisioneve nuk dallojnë nga vëllimi i punëve të anëtarëve të Kryesisë. Me këtë rast u theksua edhe nevoja e angazhimit të ekspertëve përkatës për të ndihmuar punën e komisioneve , sidomos kur duhet të bëhen ekspertiza më profesionale buxhetore, ose edhe të tjera. Kjo kërkesë u përkrah edhe nga ana e kryeparlamentarit Krasniqi. Duke folur për këtë çështje , sekretari Ismet Krasniqi, tha se kjo nuk paraqet problem, meqë mund të angazhojmë ekspertë në periudha të shkurtra javore , ose 10 ditore, mbi bazën e kontratës për punën e kryer.

Në vijim , sekretari Ismet Krasniqi, tha se të gjitha aktivitetet financiare në Kuvendin e Kosovës bëhen në mbështetje të dispozitave ligjore. Megjithëse ai kishte të dhënat e para për shpenzimet buxhetore tremujore, u vendos që për këtë çështje të bëhet një Raport tërësor, për të cilin do të diskutohet në një mbledhje të ardhshme, meqë shihej se është herët të jepen informata të sakta për këtë tremujor, kur dihej se sapo ka përfunduar muaji mars.

Në vijim nga ana e Komisionit u shqyrtua Projektligji për taksën e vendosjes me Raportin e komisionit funksional – Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport e Telekomunikacion, me amendamente dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. L– 021/1 për skemën e ndihmës sociale në Kosovë me Raportin e komisionit funksional – Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, me amendamente. Pas shqyrtimit, këto dy projektligje u përkrahën për procedim të mëtejmë në Kuvendin e Kosovës.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa