Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti përfaqësuesit e OJQ-ve për të drejtat e njeriut dhe të familjes nga Evropa dhe Amerika

, 11.04.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga këshilltarët e tij, ka pritur sot përfaqësuesit e organizatave joqeveritare nga Evropa dhe Amerika (SHBA, Austri, Belgjikë, Kroaci, Rumani), që merren me të drejtat e njeriut dhe të familjes, i cili kryesohej nga Glen Lavy (nga: Alliance Defense Fund, USA). Në takim është biseduar për zgjidhjet kushtetuese në Kosovë për sa i përket të drejtave të njeriut dhe familjes.

Përfaqësuesit e OJQ-ve për të drejtat e njeriut dhe të familjes nga Evropa dhe Amerika, të cilët kishin pasur për qëllim të vizitonin Kosovën para miratimit të Kushtetutës së vendit, për të bërë vërejtje për disa zgjidhje kushtetuese, për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të familjes, të gruas dhe sidomos të fëmijës, të cilat do të reflektoheshin pozitivisht në shëndetin dhe moralin e familjes kosovare, i cili, siç u shprehen ata, ka bërë që populli i Kosovës të mbijetojë gjatë historisë dhe të çlirohet përfundimisht.

Jeni vendi me popullsinë më të re dhe më të shëndoshë në Evropë, kanë thënë përfaqësuesit e OJQ-ëve nga Evropa dhe Amerika, duke porositur që të ruhen dhe të kultivohen traditat e mrekullueshme të popullit të Kosovës.

Duke i dorëzuar kryeparlamentarit Krasniqi sugjerimet e tyre konkrete për plotësimin e Kushtetutës së Kosovës në planin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të familjes, ata kanë porositur që të mbrohen të drejtat e njeriut që nga embrioni e deri në vdekje dhe martesat që e riprodhojnë familjen.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, është shprehur se Kosova tashmë e ka miratuar Kushtetutën e vendit, në të cilën janë bërë zgjidhje që e përafrojnë atë me kushtetutat e vendeve të Bashkimit Evropian. Ai ka shprehur keqardhjen e tij pse delegacioni nuk kishte arritur ta vizitonte Kosovën para miratimit të Kushtetutës, duke shtuar se vërejtjet e OJQ-ve për të drejtat e njeriut dhe të familjes do të priteshin mirë nga Kuvendi i Kosovës, por edhe nga Komisioni Kushtetues. Krasniqi ka premtuar se vërejtjet e bëra do të shqyrtohen dhe do të merren parasysh gjatë hartimit të korpusit të ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të familjes.
Kryeparlamntari Krasniqi priti përfaqësuesit e OJQ-ve për të drejtat e njeriut dhe të familjes nga Evropa dhe Amerika