Lajmet e fundit

Xhavit Haliti mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Jug-Lindore

, 16.04.2008




Për herë të parë Kuvendi i Republikës së Kosovës përfaqësohet në Konferencën e shtatë të Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Jug-Lindore, e cila u mbajt në Sofje të Bullgarisë, më 13-15 prill 2008, organizuar nga Procesi Bashkëpunues i Evropës Jug-Lindore (SEECP), që është trashëgues i Paktit të Stabilitetit. Parlamenti i Bullgarisë ishte nikoqir i Konferencës, pasi që ka edhe Kryesinë e Këshillit për këtë vit.

Kuvendi i Kosovës është përfaqësuar nga z. Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së Kuvendit. Delegacione e tjera që moën pjesë në këtë konferencë vinin nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Greqia, Rumania, Mali i Zi, Moldavia, Serbia, Turqia, Sllovenia si dhe delegacione nga Pakti i Stabilitetit dhe Parlamenti Evropian.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë z. Haliti i ka njoftuar pjesëmarrësit e saj për arritjet që ka bërë Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet dy komisioneve parlamentare (Komisionit për Punë të Jashtme dhe atij për Integrime Evropiane) për përmirësimin e bashkëpunimit ndërparlamentar në rajon dhe më gjerë. Ai ka pohuar se Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha parlamentet nga rajoni dhe më gjerë.

Gjatë fjalimit të tij Haliti ka theksuar arritjet e mëdha që janë bërë me aprovimin e Kushtetutës lidhur me të drejtat e komuniteteve, religjioneve, decentralizimin dhe mbrojtjen e të drejtave kulturore dhe të trashëgimisë religjioze.

Siç edhe është bërë praktikë në takime dhe konferenca të ndryshme multilaterale ku delegacioni i Kosovës merr pjesë, gjatë fjalimit të z. Haliti, delegacioni nga Serbia i udhëhequr nga z. Miloljub Albijaniç, zëvendës kryetar i Parlamentit të Serbisë, e lëshoi mbledhjen, për ty kthyer më vonë.

Z. Haliti falënderoi shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, dhe gjatë një numri të takimeve bilaterale me kryetarë dhe zëvendëskryetarë të parlamenteve të rajonit theksoi se Kosova është dhe do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti. Ai gjatë këtyre takimeve me përfaqësues të shteteve të Evropës Jug-Lindore, që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës, u kërkoi që të bëjnë atë sa më shpejtë të jetë e mundur.

Iniciativa të tjera për bashkëpunim ndërparlamentar në të ardhmen, do të diskutohen të premten, me rastin e vizitës së delegacionit nga Parlamenti Evropian në Kuvendin e Kosovës.
Xhavit Haliti mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Jug-Lindore