Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi vizitoi Rektoratin e UP-së dhe mbajti një ligjëratë në Fakultetin Filozofik

, 17.04.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, vizitoi sot Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, si dhe mbajti një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Filozofik. Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, kryeparlamentari u prit nga udhëheqja më e lartë e UP-së, të kryesuar nga rektori, prof. Dr. Enver Hasani.Tema themelore të takimit në Rektorat ishin zhvillimet aktuale në Universitet dhe reformat. Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se në Universitet duhet të bëhen reforma të thella , në mbështetje të të cilave do të sigurohet nja bazë edhe më e gjerë kuadrosh sa më cilësore , të cilat do të japin kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në zhvillimin e Kosovës drejt së ardhmes në të gjithë lëmenjtë. Reformat, të ecurit me ritëm shumë më të shpejtuar, tani shtrohen si detyra të dorës së parë , por reformat nuk janë të lehta, u tha me këtë rast. Nga ana e Universitetit u shtrua nevoja për një autonomi financiare, përkatësisht Universiteti i Prishtinës, si institucion publik, të veprojë si njësi e veçantë buxhetore, sepse në ato kushte do të siguroheshin edhe më lehët donacione. Megjithë kushtet e vështira ekonomike në Kosovë, u tha se në infrastrukturë, viteve të fundit janë bërë hapa të rëndësishëm, sidomos në pajisjen e disa fakulteteve me laboratorë dhe hapësirë përkatëse për zhvillim sa më normal të procesit të studimeve.

Duke folur për çështjen e regjistrimit të studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës, bashkëbiseduesit u pajtuan që për studentët shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi, të mos ketë kufizimeve rastin e regjistrimit , as kuota të veçanta, por ata si gjithë studentët e tjerë t’ i nënshtrohen konkurrencës, sipas kushteve të konkursit për regjistrim në vitin e parë të studimeve.

Pas këtij takimi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, i shoqëruar nga rektori dhe profesorët e Fakultetit Filozofik të Prishtinës, mbajti një ligjëratë para studentëve të këtushëm në temën : Kosova pas pavarësisë-sfidat dhe perspektivat. Shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, aprovimi i Kushtetutës së Kosovës, janë dy data të rëndësishme të historisë sonë, për të cilat kanë dhënë kontributin e tyre shumë breza. Këto të arritura të veçanta duhet të avancohen edhe më tutje në shtetin e ri të Kosovës, të cilin po e ndërtojmë, për të vendosur rendin dhe ligjin , sidomos kur është fjala për lëmenjtë e administratës dhe qeverisjes, por për këtë është i nevojshëm vullnet i vendosur politik.

Politika shqiptare, thekoi në vijim Jakup Krasniqi asnjëherë më parë nuk ka qenë më e koordinuar më politikën e fuqive të mëdha evropiane e botërore. Në vitet e vështira të vendosjes për fatin e Kosovës, në forumet dhe dokumentet që dolën si fryt i tyre, ka pasur gabime, madje kishte dha ka kërkesa për vendime e zhvillime më të mira, dhe kjo është krejtësisht njerëzore, por të tilla ishin mundësitë e realitetit. Mirëpo, të gjitha këto sollën bombardimin e caqeve militariste serbe, sollën qershorin e vitit 1999 dhe Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të këtij viti. Kosova tani po kalon nëpër procesin e njohjes ndërkombëtare. Nuk duhet të harrojmë se shumë shtete të botës kanë kaluar edhe periudha më se 10 vjeçare derisa janë njohur nga shumica e vendeve të botës. Aktualisht presim një valë të re shtetesh që do të njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke folur për sfidat kryesore me të cilat do të ballafaqohet Kosova, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se para Kosovës shtrohen posaçërisht tri sfida: si ta reformojmë arsimin si proces në funksion të zhvillimit të vendit, sundimi i ligjit, përkatësisht krijimi i kulturës për zbatimin e tij, zhvillimi më i shpejtuar i Kosovës nëpërmjet investimeve , si dhe krijimi i vizionit të qartë drejt së ardhmes së Kosovës, vizion të cilin duhet ta bëjë Prishtina, njerëzit e rinj të Kosovës. Ligjërata e kryeparlamentarit Krasniqi u përcoll me interesim të veçanta nga studentët.
Kryeparlamentari Krasniqi vizitoi Rektoratin e UP-së dhe mbajti një ligjëratë në Fakultetin Filozofik