Lajmet e fundit

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe shefat e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës u takuan me delegacionin e Parlamentit Evropian

, 18.04.2008




Në Kuvendin e Kosovës u zhvillua një takim ndërmjet anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit dhe të shefave të grupeve parlamentare, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti, me delegacionin e Parlamentit Evropian, të kryesuar nga evrodeputetja Doris Pack. Një fjalë hyrëse për angazhimet aktuale të Kuvendit të Kosovës e paraqiti Xhavit Haliti. Ai tha se jemi duke u përpjekur të kryejmë detyrat që kemi marrë në zgjedhjet e fundit. Edhe në këto zhvillime të ardhshme presim përkrahjen e mbështetjen e Parlamentit Evropian, sikurse edhe deri më tash. Të gjitha të arriturat e Kuvendit janë reflektim edhe i bashkëpunimit dhe kërkesave që shtroheshin nga Parlamentin Evropian, theksoi Haliti.

Aprovimi i Pakos së Ahtisarit është e arritur e madhe dhe për këtë meritoni falënderime e mirënjohje, theksoi në fillim të bisedës Doris Pack. Jam e kënaqur po kështu, që në mesin tonë është edhe Sllobodan Petroviqi. Më gëzon fakti që kur ai flet në gjuhën e vet ju e kuptoni. Këtë frymë bashkëpunimi duhet ta vazhdoni, duke ndenjur me njëri tjetrin , duke e folur gjuhën e njëri-tjetrit, sepse ju duhet të jetoni së bashku, theksoi evrodeputetja Pack.Doris Pack edhe në këtë takim premtoi se do të angazhohet që të ketë takime sa më të shpeshta me parlamentarët kosovarë, duke shfaqur shpresën se një delegacion parlamentar i Kosovws do të marrë pjesë edhe në takimin e 28 majit të këtij viti në Bruksel.

Deputetët evropianë u interesuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet pozitës dhe opozitës, si dhe për çështjen e ndërtimit të termocentralit “Kosova C”, vështruar në aspektin e ruajtjes së ambientit.

Në debat mori pjesë edhe Sllobodan Petroviqi, i cili tha se komuniteti serb duhet t’ i kthehet realitetit. Pikërisht për këtë edhe jemi duke marrë pjesë në punën e Kuvendit të Kosovës, për të mbrojtur të drejtat e komunitetit serb , por edhe të qytetarëve të tjerë.
Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe shefat e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës u takuan  me delegacionin e   Parlamentit Evropian