Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi bashkë me anëtarët e Kryesisë priti një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

, 23.04.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, bashkë me anëtarët e Kryesisë ka pritur sot një delegacion njëzet e një anëtarësh të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga Michael Clapham, më të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së vendit, për aktivitetet e Kuvendit të Kosovës në këtë periudhë dhe në të ardhmen, për mbështetjen që ka nevojë shteti i ri i Kosovës dhe për synimet e vendit për integrimin në mekanizmat evropianë dhe euroatlantikë. Kryeparlamentari Krasniqi duke e falënderuar Aleancën Veri-Atlantike për mbështetjen e Kosovës në momente të vështira historike, ka theksuar se populli i Kosovës u është përjetë mirënjohës forcave të NATO-s, të cilat i përjeton si çlirimtare dhe shpëtuese të popullit tonë të rrezikuar.

Nga 17 shkurti, ka thënë Krasniqi, në Kosovë është krijuar një realitet i ri – shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, duke i theksuar edhe hapat e domosdoshëm në këtë drejtin, si: miratimi i Deklaratës së Pavarësisë, miratimi i flamurit, i stemës dhe miratimi i Kushtetutës. Kësisoji, ka pohuar kreu i legjislativit të vendit, Kosova e ka përmbyllur misionin shtetformues të saj, duke hapur perspektiva të zhvillimit të të gjithë qytetarëve të saj. Ai i ka garantuar parlamentarët e NATO-s se Kushtetuta e Kosovës sublimon në vete Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit, që u garanton të gjithë qytetarëve të Kosovës zhvillim të papenguar.

Krasniqi në vazhdim ka theksuar se populli dhe institucionet e Kosovës kanë për synim integrimin në mekanizmat evropianë dhe euroatlantikë, si dhe anëtarësimin në Fondim Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe në forume të tjera ndërkombëtare.

Kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Clapham, por edhe anëtarë të tjerë të delegacionit kanë shfaqur interesime për zhvillime të pritshme në Kosovë dhe kanë shtruar shumë pyetje për qëndrimet që do të mbajë Kuvendi dhe forcat përfaqësuese në Kuvend, sidomos ato të minoriteteve.

Anëtari i Kryesisë, Sllobodan Petroviq, është shprehur se tani të gjithë qytetarëve të Kosovës u nevojitet mirëqenie dhe zhvillim, si dhe institucione legjitime demokratike. Sikur popullata serbe e Kosovës të mos i bojkotonte zgjedhjet parlamentare, serbët do të përfaqësoheshin me më shumë se njëzet deputetë, ka thënë ai. Petroviq, ndërkaq, ka folur edhe për presionet e fuqishme që ka pasur Grupi Parlamentar i SLS-së, për të hequr dorë nga politika e mirëbesimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Xhezair Murat ka theksuar se komunitetet që përfaqëson (boshnjak dhe turq) kanë ndalë në zgjedhje në përqindje edhe më të lartë se shqiptarët dhe se këto komunitete janë luajale ndaj institucioneve të vendit dhe duan të integrohen plotësisht në shoqërinë e Kosovës.

Nexhat Daci ka theksuar se opozita ka qenë plotësisht unike me forcat e pozitës për sa i përket projektit të shteformimit dhe krijimit të ambientit të sigurt.

Naim Maloku, ndërkaq, ka dhënë shpjegime për pasojat e protestave serbe në Mitrovicën e Veriut dhe për ndërmarrje të tjera nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, duke u fokusuar sidomos në zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, që ka paralajmëruar Beogradi.

Sabri Hamiti duke folur për mbështetjen që e pret Kosova edhe nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, ka pohuar se KFOR-i që nga fillimi ka qenë dhe mbetet institucioni më i besueshëm në Kosovë. Ai ka theksuar se me zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, Beogradi dëshiron ta testojë pavarësinë e vendit tonë dhe seriozitetin e institucioneve të Kosovës dhe të atyre ndërkombëtare, të pranishme këtu.

Kryeparlamentari Krasniqi duke përkujtuar se Kushtetuta e Kosovës parasheh dyshtetësinë, prandaj edhe mundësinë e votimit për Parlamentin e Serbisë, ka tërhequr vëmendjen se mbajtja eventuale e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, do të pengojë integrimin e qytetarëve serbë në institucionet dhe në shoqërinë e Kosovës.

Kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Clapham, në bisedë me kryeparlamentarin Krasniqi dhe anëtarët e Kryesisë është shprehur se Kuvendi i Kosovës është i mirëpritur në takimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Kryeparlamentari Krasniqi bashkë me anëtarët e Kryesisë priti një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s