Lajmet e fundit

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, priti zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Elizabeth Walan

, 24.04.2008




Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, priti sot zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Elizabeth Walan, e cila ishte e shoqëruar edhe nga përfaqësues të Misionit diplomatik norvegjez në Kosovë. Me këtë rast znj. Elizabeth Walan shprehu kënaqësinë që pas një muaji nga njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Norvegjisë, sheh një zhvillim impresiv në Kosovë në përballimin e ngjarjeve të ndodhura dhe të pritshme. Ajo gjatë bisedës u interesua për zhvillimet e ardhshme pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës më 15 qershor të këtij viti. Në vijim Elizabeth Walan shprehu interesimin e Norvegjisë për zhvillimin e Kosovës në aspektin politik dhe ekonomik, në mënyrë që të krijohet një bazë e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Në këtë frymë u theksua se shteti norvegjez gjatë këtij viti do të ndihmojë Kosovën me 15, 5 milionë euro. Zëvendësministrja u interesua edhe për refklektimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, falënderoi zëvendësministren dhe shtetin norvegjez për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për ndihmën e vazhdueshme të Norvegjisë ndaj Kosovës. Hamiti theksoi se institucionet dhe qytetarët e Kosovës do ta realizojnë me maturi lirinë dhe pavarësinë e fituar. Është koha, tha më tutje Sabri Hamiti, të merren përgjegjësitë për zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe për njohjen dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi se pretendimi i Serbisë për të organizuar zgjedhje në Kosovë është ilegal, ky është një provokacion politik ndaj pavarësisë së Kosovës. Zgjedhje legale në Kosovë tash për tash mund të thërrasë vetëm UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës. Qytetarët dhe institucionet e Kosovës kanë maturinë që të mos provokohen nga gjestet politike të Beogradit, tha Hamiti.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, priti zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Elizabeth Walan