Lajmet e fundit

Nga vizita e delegacionit të Kosovës në Irlandë

, 25.04.2008




Gjatë vizitës në Irlandë Edita Tahiri dhe Driton Qehaja janë takuar me Komisionin për Çështje Evropiane të Parlamentit Irlandez, të kryesuar nga Bernard Durkan; me eurodeputetin Colm Burke, anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Emma Madigan, zëvendësdrejtor për Evropën. Ndërkaq, delegacioni nga Kosova realizoi takime edhe me përfaqësues të biznesit, të Odës Ekonomike të Dublinit dhe të Institutit për Integrime Evropiane. Takime u zhvilluan edhe me komunitetin shqiptar ne Irlandë dhe mediet irlandeze.

Takimi i paraparë me ministrin për Integrime Evropiane, Dick Roche u anulua për shkak të vdekjes së ish- presidentit irlandez, Hillary.

Në këto takime delegacioni u shoqërua nga veprimtarja dhe lobisja e njohur për çështjen e Kosovës, z.Valerie Hughes e cila koordinoi këto aktivitete.

Në takimet e zhvilluara delegacioni i Kosovës falënderoi Qeverinë, Parlamentin dhe popullin e Irlandës për njohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme në periudha të rënda.

Delegacioni prezantoi vizionin për shtetin e ri të Kosovës dhe foli për sfidat e pavarësisë së Kosovës. Për vizonin politik të Kosovës, si shteti më të ri në botë, foli Edita Tahiri, e cila ndër të tjera tha se Kosova synon të jetë një shtet funksional me vlera te qëndrueshme në sundimin e ligjit, demokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj; një shtet i integruar në bashkësinë Evro-Atlantike dhe në të gjitha organizmat relevante ndërkombëtarë, përfshirë anëtarësimin në OKB. Ajo theksoi sfidat kryesore të shtetit të ri duke përfshirë objektivat për një ekonomi të qëndrueshme, për një arsimim cilësor të standardeve moderne, si dhe për konsolodimin e sovranitetit dhe legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Zonja Tahiri më tej theksoi se për udhëheqjen e Kosovës sovraniteti ka kuptimin e përgjegjësisë, si në planin e jashtëm, ashtu edhe të brendshëm, që nënkupton respektimin e plotë të sovranitetit të ndërsjellë mes shteteve, ndërsa në kuptimin e brendshëm respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, në veçanti të minoritetit serb, duke theksuar me këtë rast se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e miratuar këto ditë për Kosovën reflekton parimet e Planit të Ahtisarit në këtë çështje.

Zonja Tahiri po ashtu foli për synimet e Kosovës për përfaqësime diplomatike jashtë vendit dhe për krijimin e një arkitekture të sigurisë e të mbrojtjes në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n. Ajo vlerësoi rëndësinë e vendosjes së Misionit të BE-së në Kosovë dhe angazhimet me prioritet në vendosjen e sundimit të ligjit, zhbërjen e strukturave paralele serbe dhe luftën kundër korrupsionit.

Lidhur me vizionin ekonomik dhe programin zhvillimor të Qeverisë së Kosovës, në këtë takime ka folur këshilltari për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Driton Qehaja.

Delegacioni i Republikës së Kosovës theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Irlandës dhe thellimin e bashkëpunimit në veçanti në sferën e ekonomisë. Duke marrë parasysh sukseset e mëdha të Irlandës për zhvillimin ekonomik të vendit, delegacioni kërkoi nga Irlanda mbështetje për Kosovën, në veçanti në planin ekonomik, përfshirë këtu aspektet e ekspertizës dhe të investimeve, përfshirjen e Kosovës në programin e ndihmave zhvillimore të Qeverisë së Irlandës, në edukim dhe punësime sezonale.