Lajmet e fundit

U nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dh Institutit Demokratik Kombëtar (NDI)

, 30.04.2008




Sot, në ambientet e Kuvendit të Kosovës u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Institutit Demokratik Kombëtar (NDI). Memorandumin e nënshkruan kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe drejtori i NDI-së, Carlo Binda. Nënshkrimi i Memorandumit, si u tha me këtë rast, ka një rëndësi të madhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe NDI-së. Në këtë frymë kryeparlamentari Krasniqi tha se gjithnjë kemi gëzuar mbështetjen e NDI-së. Të dy nënshkruesit u zotuan se kjo gatishmëri bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tutje.

Në fillim të mandatit të tretë të Kuvendit të Kosovës, u tha në vijim , Instituti Demokratik Kombëtar NDI dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë kanë ndërmarrë nismën për vlerësimin e përgjithshëm të funksionimit të Kuvendit të Kosovës . Vlerësimi do të zhvillohet nën patronatin e Kryetarit të Kuvendit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit. Vlerësimin do ta zhvillojnë ekspertët sllovenë, të angazhuar nga NDI dhe OSBE, në bashkëpunim me personelin e këtyre të fundit. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit do të konsultohet veçanërisht gjatë vlerësimit dhe analizimit të çështjeve që kanë të bëjnë me resurset humane.

Qëllimi i këtij vlerësimi është identifikimi i mangësive gjatë procesit të shqyrtimit, ndryshimit dhe plotësimit të projekt ligjeve , menaxhimi i burimeve njerëzore dhe financiare, ushtrimi i funksionit mbikëqyrës ndaj degës ekzekutive ,funksionimit të grupeve parlamentare dhe mbajtjes së marrëdhënieve të vazhdueshme me elektoratin. Në bazë të gjetjeve që do të dalin nga ky vlerësim , ekspertët sllovenë, në konsultime të vazhdueshme me Kryetarin e Kuvendit dhe Sekretarin e Përgjithshëm do të hartojnë raportin vlerësues dhe planin strategjik.
U nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dh Institutit Demokratik Kombëtar (NDI)