Lajmet e fundit

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga Jakup Krasniqi, filloi vizitën zyrtare në Bruksel

, 06.05.2008




Me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Belgjikës, z. Herman Van Rompuy, sot filloi vizitën zyrtare treditëshe në Bruksel , një delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilit i prin kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Në përbërje të delegacionit janë edhe anëtarët e Kryesisë : Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Ibrahim Gashi dhe Slobodan Petroviq. Gjatë ditës së sotme delegacioni Parlamentar i Kosovës, në krye me Jakup Krasniqin u prit nga kryetari i Parlamentit të Belgjikës, z. Herman Van Rompuy.

Kryeparlamentari i Krasniqi me këtë rast e falënderoi përzemërsisht z. Rompuy për mbështetjen që i ka dhënë Parlamenti i Belgjikës , Kuvendit të Kosovës. Ai u falënderua edhe për njohjen e shpejtë që i ka bërë Belgjika shtetit të Kosovës. Kryetari në mes të tjerave kërkoi që edhe më tej Parlamenti Belg ta ndihmojë Parlamentin e Kosoves, si dhe të angazhohet që Kosova të integrohet edhe në mekanizmat evro-atlantik.

Në vijim z. Rompuy ,falënderoi z .Krasniqi për vizitën që po i bën Parlamentit Belg, duke e siguruar kryetarin Krasniqi se do të angazhohet që edhe më tej të ngritet niveli i bashkëpunimit ndërparlamentar. Gjithashtu ai theksoi se do të angazhohet që Kosova sa më shpejtë të gjejë mundësinë që të anëtarësohet në mekanizmat evropianë. z. Herman Van Rompuy shtroi edhe një drekë për delegacionin e Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi gjatë ditës së sotme takoi edhe z.Herman De Croo, nënkryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës dhe kryetar i Komisionit Federativ Këshillues për çështjet evropiane të Parlamentit Belg.

Gjatë takimit kryetari i Kuvendit u angazhua që të arrihet një Memorandum Bashkëpunimi në mes dy parlamenteve, ndërsa z. De Croo e falënderoi për ekspozenë që bëri kryetari i Kuvendit të Kosovës për punët që janë bërë pas pavarësisë së Kosovës. Në këtë frymë z. De Croo theksoi se të gjitha vendet e ish- Jugosllavisë duhet të integrohen në Bashkimin Evropian.

Kryeparlamentari Krasniqi pastaj zhvilloi edhe disa takime të tjera, siç ishte edhe takimi në Gjykatën e Auditimit.