Lajmet e fundit

Dita e dytë e vizitës së Delegacionit të Kuvendit të Kosovës, i prirë nga Jakup Krasniqi, në Bruksel

, 07.05.2008




Ditën e dytë të vizitës në Bruksel, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i prirë nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i shoqëruar edhe nga anëtarët e Kryesisë : Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Ibrahim Gashi dhe Slobodan Petroviq u prit në një takim kurtuazie nga kryetari i Senatit të Belgjikës , Armond de Decker. Kryetari i Senatit në fillim falënderoi kryeparlamentarin Krasniqi për këtë vizitë që i bënë Parlamentit dhe Senatit të Belgjikës. Belgjika, theksoi Armond de Decker, ka ndjekur me shumë kujdes zhvillimet në Kosovë që nga Lufta e deri më 17 shkurt, kur u shpall Pavarësia e Kosovës dhe shpejt njohu pavarësinë e Kosovës. Angazhohemi për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në mbarë Ballkanin. Belgjika është mjaft prezente me investime në Ballkan. Investitorët belg do të investojnë edhe në Kosovë, ndaj atje duhet të ketë gjendje stabile.

Kryeparlamentari Krasniqi pasi falënderoi kryetarin e Senatit për mikpritjen, bëri një paraqitje rreth zhvillimeve politike në Kosovë, si dhe për punën e Parlamentit në aprovimin e ligjeve, sidomos ato që dalin nga Pakoja e Ahtisarit. Gjithashtu, kryeparlamentari Krasniqi u falënderua edhe për njohjen e shpejtë që i ka bërë Belgjika Kosovës si shtet i pavarur. Në këtë frymë Parlamenti i Kosovës synon vendosjen e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve.

Në vazhdim të këtij takimi kryeparlamentari Krasniqi theksoi se pret nga Belgjika që të ndihmojë edhe më tutje Kosovën për t’ u integruar në mekanizmat evro-atlantik. Kryeparlamentari Krasniqi njohu mikpritësit edhe me infrastrukturën ligjore, e cila nxit investimet e huaja në Kosovë.

Në shenjë nderi për kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, deputeti i Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës , Patrik Morian, i cili është edhe kryetar i Grupit për Ballkanin, në Unionin Interparlamentar Evropian shtroi edhe një drekë për delegacionin nga Parlamenti i Kosovës.