Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti një delegacion parlamentar zviceran

, 09.05.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot një delegacion nga Komisioni për Punë të Jashtme i Këshillit Nacional Zviceran, i cili kryesohej nga Geri Müller, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së vendit, për proceset e pritshme në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, por edhe ndërmjet të dy parlamenteve.

Kryeparlamentari Krasniqi, duke u uruar mirëseardhje anëtarëve të Komisioni për Punë të Jashtme i Këshillit Nacional Zviceran, ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Kosovën në të kaluarën dhe sot, sidomos për njohjen e shpejtë të shteti të pavarur të Kosovës. Krasniqi ka vlerësuar se ekzistojnë ura të shumta që i lidhin të dy vendet, sidomos numri i madh i kosovarëve që punojnë dhe jetojnë në Zvicër, nga puna e të cilëve ka gjalluar një pjesë e popullsisë së Kosovës, por ka përfituar edhe shteti zviceran.

Kreu i legjislativit të vendit pastaj ka folur për zhvillimet në Kosovë, që nga zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit të vitit të kaluar, për konstituimin e Kuvendit, shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, si dhe miratimin e Kushtetutës, të ligjeve nga Pakoja e Ahtisarit, të flamurit, stemës e të tjera, duke theksuar se shumë shpejtë do ta kemi edhe himnin dhe se pas 15 qershorit, kur pritet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, do të hapen perspektiva të reja të vendit për raporte cilësore me vendet tjera. Ai, ndërkaq, ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për integrime evropiane dhe anëtarësim në strukturat Euro-Atlantike.

Kryesuesi i delegacionit parlamentar zviceran¸Geri Müller, ka vlerësuar të arriturat e Kosovës për funksionimin e institucioneve dhe për ruajtjen e paqes e të stabilitetit, ndërkaq, ka theksuar se shteti zviceran, i cili e ka ndihmuar Kosovën është i interesuar për ta mbështetur edhe më, sidomos për sa i përket ngritjes së ujësjellësve dhe prodhimit të energjisë, por edhe të kontribuojë në planin arsimit cilësor, si në rajonin e Gjilanit, bie fjala.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Këshillit Nacional Zviceran kanë shtruar pyetje të shumta për aktualitetin dhe ardhmërinë e Kosovës, për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit, e sidomos për të drejtat e minoriteteve.

Krasniqi ka theksuar se Kosova ka perspektivë të mirë të zhvillimit, por ka nevojë për tu mbështetur nga shtete të zhvilluara të botës. Ai, ndërkaq, ka theksuar se minoritetet janë të privilegjuara me Kushtetutën e Kosovës, kurse institucionet, por edhe qytetarët e popullsisë shumicë, janë të interesuara që t’i integrohen qytetarët nga radhët e minoriteteve. Për dallim nga minoritetet e tjera, të cilat janë integruar mirë në Kosovën e re, ka thënë Krasniqi, një pjesë e minoritetit serb vazhdon të jetë e manipuluar nga regjimi i Beogradit, i cili i nxit ata dhe financon shumë që qytetarët serbë të Kosovës të mos integrohen në institucionet dhe në shoqërinë e Kosovës. Kjo, ka thënë kreu u Kuvendit, shton nevojën e ndikimit të bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që Serbia të kujdeset për zhvillimin e demokracisë në hapësirën e saj administrative dhe të mos ndërhyjë në mbarëvajtjen e shtetit të ri të Kosovës, i cili garanton zhvillim të lirë dhe të barabartë edhe pakicës serbe në Kosovë.
Kryeparlamntari Krasniqi  priti një delegacion parlamentar zviceran