Lajmet e fundit

Anëtarët e Komisionit të Punë të Jashtme pritën delegacionin parlamentar zviceran

, 09.05.2008




Delegacionin parlamentar zviceran, i cili kryesohej nga Geri Müller, e kanë pritur sot edhe anëtarët e Komisionit të Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës dhe kanë biseduar me te për shumë aspekte të zhvillimeve në Kosovë dhe në rajon, sidomos për sa i përket funksionalizimin e Kosovës së pavarur në planin diplomatik dhe kontaktet ndërkombëtare.

Pasi u ka dëshiruar mirëseardhje parlamentarëve zviceranë dhe ka falënderuar për mbështetjen dhënë Kosovës nga shteti zviceran, në të gjitha fazat e zhvillimit saj dhe për njohjen e shtetit ë ri të Kosovës, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Sabri Hamiti, ka folur për zhvillimet në vend dhe për synimet kryesore të shoqërisë dhe të institucioneve, siç janë zhvillimi i demokracisë, përparimi i përshpejtuar i vendit dhe kultivimi i vlerave evropiane. Ai është shprehur i bindur që kërkesat politike dhe ekzistenciale të popullit të Kosovës do të gjejnë mbështetje nga shtetet e fuqishme demokratike të Perëndimit.

Kryesuesi i delegacionit parlamentar zviceran¸Geri Müller, ka theksuar se tani ka ardhur koha që kosovarët t’i marrin përgjegjësitë për zhvillimin e vendit. Ai, ndërkaq, është shprehur se në vizitë kanë ardhur për t’i parë zhvillimet në Kosovës dhe rajon, si dhe për të parë se për çka shfrytëzohen paratë e taksapaguesve zviceranë, si ndihmë për këtë pjesë të Evropës.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Këshillit Nacional Zviceran janë interesuar pse kosovarët aq shumë e vlerësojnë praninë e SHBA-ve në Kosovë, si shkollohet kuadri diplomatik për Kosovën, çfarë të drejta për minoritetet garanton Kushtetuta e Kosovës, si po integrohen ato dhe si vlerëson komisioni punën e Qeverisë së Kosovës.

Pyetjeve u janë përgjigjur të gjithë anëtarët e komisionit e pranishëm në takim : Naxhat Daci, Eqrem kryeziu, Ramë Buja, Sabri Hamiti, Enis Kervan, Radmilla Vujoviq, Ardian Gjini dhe Ramadan Avdiu.

Gjatë shpjegimit është theksuar roli vendimtar i SHBA-ve, por edhe i vendeve të Bashkimit Evropian, për mbështetjen e proceseve në Kosovë, duke përkujtuar se populli i Kosovë përjetë u është mirënjohës atyre që e shpëtuan nga zhdukja dhe e mbështetën në rrugën e pavarësisë.

Në takim është theksuar fakti se deri tash 42 kosovarë i kanë mbaruar studimet për çështje të diplomacisë dhe se 167 studentë janë duke i përfunduar studimet në lëmenj që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare në shumë universitete të botës. Me këtë rast është kërkuar nga parlamentarët zviceranë që të ndikojnë në lehtësimin procedurave për kosovarët që dëshirojnë të studiojnë në Institutin e Lartë për Studime Diplomatike dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë në Zvicër.

Lidhur me të drejtat e minoriteteve që garanton Kushtetuta e Kosovës, është theksuar se me përfshirjen e Planit Gjithëpërfshirës të Ahtisarit në Kushtetutën e Kosovës, minoriteteve, sidomos serbëve të Kosovës, u garantohen të drejta më të mëdha se sa garantohet për pakicat në çdo vend tjetër të Evropës.

Sa i përket Qeverisë është thënë se tashmë Kosova ka krijuar një traditë qeverisjeje, e cila ka nevojë për mbështetje dhe përvojat e vendeve të zhvilluara demokratike.
Anëtarët e Komisionit të Punë të Jashtme pritën delegacionin parlamentar zviceran