Lajmet e fundit

Fjala e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi e mbajtur me rastin e Ditës së Evropës

, 09.05.2008




Me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës, të mbajtur në Fakultetin Fiillogjik, tubim i organizuar nga kryeministri i Kosovës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi mbajti një fjalë hyrëse me këtë përmbajtje :”

I nderuari President i Republikë së Kosovës zoti Fatmir Sejdiu,
I nderuari Zv/Kryeministër i Republikës së Kosovës zoti Hajredin Kuqi,
I nderuari Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm, zoti Joachim Rucker,
I nderuari Përfaqësues i Zyrës Civile Ndërkombëtare, zoti Peter Feith,
I nderuari Kryesues i Zyrës së Komisionit Evropian zoti Renzo Davidi,
I nderuar Rektor, zoti Enver Hasani,
Të nderuar ambasadorë e përfaqësues diplomatikë në Kosovë,
Zonja dhe zotërinj

Ndihem i nderuar të them këto pak fjalë para jush për nder të 9 Majit, Ditës së Evropës.

Dita e sotme i kthen kujtimet tona gati 60 vjet më herët, kur Evropa po hidhte hapat e parë konkret të idesë së Bashkimit të sotëm Evropian, që i solli vendeve të tij paqe e siguri të qëndrueshme, stabilitet, zhvillim demokratik e ngritje të fuqishme ekonomike.

Politika integruese evropiane hapi dyert edhe për shumë shtete tjera e popuj të Evropës që të angazhohen drejt një realiteti të ri për ta.

Duke shënuar sot Ditën e madhe të Evropës së Bashkuar, Kosova pashmangshëm kujton Evropën e bashkuar para nëntë vjetësh rreth një qëllimi human dhe paqësor për të mbrojtur bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, popullin e saj të rrezikuar, për të ndrequr padrejtësitë historike në këtë rajon, për të mbrojtur vlerat fondamentale demokratike e kulturore dhe për të vendosur përfundimisht paqen e demokracinë në gjithë hapësirën evropiane.

Për ne qytetarët dhe institucionet e Kosovës, Evropa asocionon me përkatësinë antike evropiane të vendit tonë e të kulturës së tij dhe me aspirimin aktual dhe konsensual të politikës kosovare për integrim të plotë në mekanizmat euroatlantikë. Me Evropën dhe Perëndimin në përgjithësi, ne na lidh e kaluara, na lidh e sotmja dhe do të na lidhë akoma më shumë e ardhmja.

Konsekuente ndaj parimeve bazë evropiane, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, fill pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, e njohën Republikën sovrane të Kosovës, duke u shprehur të gatshme për vendosjen e marrëdhënieve bilaterale me të, në interes reciprok dhe në dobi të paqes e prosperitetit në rajonin tonë. Ne jemi të bindur që edhe vendet tjera të Bashkimit Evropian dhe kudo në botë, do ta ndjekin këtë shembull dhe këtë politikë të afirmimit të paqes e të miqësisë, të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit midis popujve.

Dje jam kthyer nga një vizitë treditëshe në Belgjikë, ku kam gjetur ndjenjën e miqësisë së thellë të popullit dhe të institucioneve belge për vendin tonë dhe frymën e gatishmërisë për bashkëpunim të gjerë e ndihmë të pakursyer për demokracinë e re të Kosovës. Kjo frymë përshkon edhe politikën e shumë vendeve evropiane e botërore dhe të popujve të tyre ndaj vendit tonë.

E ardhmja jonë e përbashkët është liria, paqja, demokracia, bashkëpunimi dhe integrimi, sepse ky është interesi e popujve dhe i vendeve të Kontinentit tonë, sepse këto janë vlerat që e bëjnë të bashkuar Evropën.

Të bindur thellë për aspirimin e popujve të Gadishullit tonë për të ardhmen e tyre prosperuese, integruese dhe paqësore, ne besojmë fuqishëm që një ditë jo të largët, edhe populli fqinj serb dhe udhëheqja e tij, do t’i shtrijnë Kosovës dorën e miqësisë dhe të bashkëpunimit, si fqinj të përkushtuar në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe të ndërtimit të ardhmes së tyre më të mirë.

Kosova po kalon nëpër procese historike të ndërtimit të themeleve të shtetit modern dhe demokratik, të cilat nuk mund të imagjinohen pa ndihmën e gjithanshme evropiane. Këtë ndihmë bujare Kosova do ta shfrytëzojë me gjithë kapacitetet e saj, me qëllim të shkurtimit të rrugës drejt emancipimit dhe zhvillimit. Evropa sot është në Kosovë, që Kosova të jetë nesër denjësisht në Evropë.

Ne e kemi aprovuar Kushtetutën e re, e cila është tumirur nga demokracitë më të zhvilluara evropiane dhe botërore. Kushtetuta përbën dokumentin bazë politik dhe juridik me të cilin Kosovës i hapen rrugët e ndërtimit të shtetit demokratik, ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së lirë.

Me Kushtetutë dhe me një varg ligjesh tashmë të aprovuara nga Kuvendi, ose që do të aprovohen shpejt, ne e kemi shprehur qartë dhe vendosmërisht qëndrimin tonë për të siguruar jetë të lirë e të dinjitetshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa asnjë dallim dhe për të siguruar të drejtat e liritë themelore të Njeriut dhe të drejtat e komuniteteve pakicë.

Duke ju uruar 9 Majin, Ditën e Evropës, dua të shpreh dhe të rikonfirmoj përkushtimin e Kosovës për parimet e vlerat evropiane dhe për përmbushjen e të gjitha kritereve të integrimit të saj të plotë në mekanizmat evropianë.

Filozofia politike e Bashkimit Evropian është bashkëjetesa dhe zgjidhja e të gjitha problemeve në rrugë paqësore dhe me mjete demokratike. E ardhmja e rajonit tonë në Evropën e Bashkuar, nuk do të thotë vetëm hyrje në familjen e popujve të integruar, por edhe garanci e një jete në paqe, duke lënë pas njëherë e përgjithmonë historinë e dhembshme të luftërave e të konflikteve të vazhdueshme. Praktika e mirë e marrëdhënieve evropiane e ka dëshmuar këtë kurs strategjik, jo vetëm si të drejtë, por edhe të mundshëm”.